Qeveria në largim me shpejtësi e zbraz arkën shtetërore dhe i paguan të gjitha borxhet ndaj ministrive, bizneseve dhe ndaj tyre që kanë bashkëpunuar në vitet e kaluara, si dhe janë realizuar detyrime të papaguara. Burime të ministrisë së financave për Alsat-M thonë se sapo arrijnë urdhërpagesat ato menjëherë paguhen. Shlyerjen e borxhit nga qeveria e konfirmojnë edhe nga Oda Ekonomike e Maqedonisë veriperëndimore. Ata thonë se thuajse çdo ditë ju transferohen para në llogaritë e biznesmenëve për punë që janë kryer disa vjet më parë.

 

”Nga fundi i vitit të kaluar, posaçërisht nga mesi i prillit e deri më sot në mënyrë të përshpejtuar paguhen borxhet që i ka shteti ndaj biznesmenëve që nuk ishte rast në vitet e kaluara”, thanë nga OEMVP.

Ish-ministri i financave Xhevdet Hajredini thotë se me këtë, pushteti në largim dëshiron ta fsheh borxhin e përgjithshëm publik.

Ish-guvernatori i Bankës Popullore Petar Goshev thotë se taktika e OBRM-PDUKM-së është që para largimit të zbrazë çdo gjë që ka në llogari. Ai thotë se ka qenë situatë e ngjashme edhe në vitin 2002 kur LSDM-ja erdhi në pushtet. Sipas tij Qeverisë së re do t’i mungojnë rreth 500 milion euro.

”Arka është e zbrazët dhe qeveria e re do të duhet menjëherë të shohë se ku mund të shkurtojë, të pastrojë borxhe dhe do të duhet menjëherë të marrë hua nga vendi dhe nga jashtë pjesën që mungon për vitin 2017”, tha Petar Goshev, ish-guvernator i Bankës Popullore.

Një pjesë e ekspertëve thonë se pushteti në largim me siguri i shpenzon 170 milion eurot që mbetën nga euroobligacioni i vitit të kaluar dhe 30 milionët shtesë që u morën hua në muajt e kaluar.