Tabletat bombë

Shteti Islamik po eksperimenton me eksplozivë të rinj që mund të fshihen në pajisje elektronike si telefonët apo tabletat, të afta për t’i shpëtuar kontrolleve të sigurisë nëpër aeroporte.

Rrjeti amerikan CNN citon burime pranë shërbimeve amerikane të inteligjencës, të cilat raportojnë se terroristët kanë arritur të marrin në zotërim pajisje tepër të zhvilluara për sigurinë, për të verifikuar mënyra efektive për fshehjen e eksplozivëve në laptopë e të tjera pajisje elektronike.

CNN raporton se informacionet e marra në muajt e fundit pikërisht nga agjensitë e inteligjencës, kanë luajtur një rol tepër të rëndësishëm në vendimin e administratës Trump për të ndaluar transportin në bord të pajisjeve për udhëtarë që vijnë nga 8 vende të Lindjes së Mesme e Afrikës.

Sakaq, CNN gjithashtu ngre shqetësimet se pavarësisht humbjeve të mëdha në territor, Shteti Islamik tashmë po i përshtatet mënyrave të reja të rekrutimit duke iu drejtuar internetit.

Për të vërtetuar këtë, CNN bashkëpunoi me një këshilltar për krijimin e një profili në Facebook, të një personi në dukje xhihadist.

Surprizuese është se brenda një jave, ky profil mori mëse 200 ftesa për miqësi, kryesisht nga shtetas europianë të radikalizuar.

Teksa është më thjeshtë të kontrollohet situata në rrugë me vendosjen e më shumë ushtarëve, CNN shtron pyetjen se çfarë autoritetet janë duke bërë për të parandaluar përhapjen virtuale të Shtetit Islamik, sidomos tek të rinjtë.