Qeveria ende pa projekt për ndërtimin e autostradës Maqedoni-Kosovë. Në Qeveri ka vullnet politik për ndërtimin e autostradës drejt Kosovës. Kështu thotë ministri i transportit Vllado Misajlovski sipas të cilit deri në fund të muajit prill do të përfundojë një studim fizibiliteti që do të tregojë nëse duhet dhe si do të ndërtohej kjo autostradë. Derisa Kosova pjesën e saj të autostradës drejt Maqedonisë e ndërton me para buxhetore, Misajlovski shpreson se këtu do të funksionojë partneriteti publik privat dhe ashtu do të ndërtohen këto 13 km deri në Bllacë.

“Ne do ta provojmë me partneritet privat publik, në qoftë se nuk paraqitet askush në atë Partneritetin Publiko Privat pastaj do ta shohim, do ta informojmë publikun se si do të ecim më tutje”, deklaroi Vllado Misajlovski, Ministër i Transportit dhe telekomunikacionit, shkruan alsatm.

Partneriteti Publiko Privat do të thotë se projekti do të financohet nga një kompani private dhe do ti jepet të menaxhojë me autostradën një periudhë kohore. Pas skadimit të periudhës kohore, autostrada do të kthehet në menaxhim të shtetit. Deri më tani ky model në Maqedoni, nuk ka dhënë ndonjë rezultat konkret.