Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari mbajti sot konferencë për shtyp në të cilën i shprehu ngushëllime familjes Mexhiti për humbjen e vajzës së tyre dhe hodhi poshtë thashethemet të cilat u plasuan në opinion me qëllim që ky rast të paraqitet si dështim i udhëheqësisë komunale dhe që dikush të përfitojë politikisht nga kjo fatkeqësi shumë e dhimbshme.

Në vazhdim ua përcjellim fjalën e kryetarit Taravari:

“Në emrin tim personal dhe në emër të gjithë gostivarasve dua publikisht të shpreh ngushëllimet e sinqerta Mexhiti.

Ashtu si e dini në datën 5 nëntor, një vajzë e re ndërroi jetë. Një vajzë e cila nuk e di kurrë që me shuarjen e saj do të bëhej lojë politike dhe gur shahu.

Pavarësisht mllefit të akumuluar këto ditë të cilat i kemi numëruar me orë, unë dhe ekipi im, nuk do të biem në nivelin e fushatave mortore, do të ruajmë respekt ndaj kujtimit të kësaj vajze dhe familjes Mexhiti.

Sipas raportit të policisë është qartësuar qartë e saktë pse dhe si ka ndodhur fatkeqësia. Çdo gjë që buroi nga thashethemet që dolën më shpejt se vet lajmi i vdekjes, nuk është e vërtetë.

E vërtetë është më e rënda, humbja e saj!

Çdo gazetar, qytetar, politikan apo kriminel që e quan veten ndryshe, është i lirë të shkojë dhe të informohet pranë policisë së shtetit më detajisht se çfarë ka ndodhur. Unë nuk jap asnjë detaj që gërmon në plagën e shkaktuar nga kjo humbje e rëndë për familjen Mexhiti.

Kjo familje ashtu si edhe ne jemi të qartë se si ka ndodhur ky rast, i cili është vetëm një fatkeqësi, fatkeqësi që nuk është shkaktuar nga asnjë pakujdesi, por vetëm nga fati që luan lojëra të tilla tragjike.

Do ju lutesha që të tregoni respekt për këto orë të vështira për familjen Mexhiti. Ѕidomos këtë kërkesë e drejtoj tek ata individë të cilët janë verbuar nga etja për pushtet dhe kërkojnë të bëjnë politikë me tragjedi njerëzore.

Në krahun tim duhej të ishte babai i së ndjerës, por atë e mbajnë tashmë 3 orë në polici dhe supozoj se këtë e bëjnë në drejtim të një hetimi cilësor, e jo me prapavijë që të mos merr pjesë në këtë konferencë për shtyp.

Unë jam mjek me profesion por asnjëherë nuk mësova se si të bëhem i fortë në raste të tilla. Zoti të ketë afër vajzën tuaj dhe e ka! Falënderoj gostivarasit për solidaritetin e treguar gjatë orëve anksioze të kërkimit të trupit. Lus Zotin të na i bëj sa më të lehtë e sidomos familjes Mexhiti dhimbjen e asaj që ikën dhe nuk kthehet më.

Kjo është një nga konferencat më të rënda që kam mbajtur, Zoti bëftë që të jetë e fundit e këtij lloji!

Zoti durimin familjes dhe të gjithë gostivarasve!

Zoti e shpërbleftë me Xhenet!”

Gepostet von Arben Taravari am Donnerstag, 8. November 2018