Partia më e madhe maqedonase VMRO-DPMNE në listën e kandidatëve për deputetë ka vendosur edhe Johan Tarcullovskin, të dënuarin e vetëm për krime lufte në Hagë nga Maqedonia. Atë, tribunali e dënoi me 12 vite, e më pas dënimin ia uli në tetë vite burgim. Ai dënua për rastin Lubeten, në të cilin janë vrarë disa civilë shqiptarë, ndërsa aksionin sipas Tribunalit e ka planikuar dhe zbatuar pikërisht Tarçullovski. Për analistët hapi i këtillë nuk është befasues meqë për këtë VMRO-DPMNE-në Tarçullovski është hero, e jo kriminel lufte.

Nga zyrtarët e dyshuar të DPMNE-së, në listat e kandidatëve janë vetëm ministrja e Kulturës Elizabeta Kançevska Milevska, e cila është e dyshuara e parë në rastin „Tenderë“ të Prokurorisë Speciale, ndërsa për Gruevskin, tashmë është parashtruar edhe aktakuzë për protestat e dhunshme para Komunës Qendër. Juristët shprehen se kandidaturat e tyre nuk janë kontestuese nga aspekti formal, por nëse dënohen pas zgjedhjes, kjo mund të shkaktojë komplikime. “Çfarë do të ndodhë më tutje duke marrë parasysh punën e Prokurorisë Speciale është çështje e madhe, për shkak se që tani pritet procedurë gjyqësore, madje edhe për ata për të cilët është ngritur aktakuzë. Pritet procedurë e shkallës së dytë, e më pas ankesë në Gjykatën e Apelit, është shumë çështje e madhe se çfarë do të ndodhë më tutje, por nëse ndonjëri bëhet deputet, e më pas dënohet, kjo gjë do të shkaktojë probleme”, deklaroi Zvonko Davidoviq, avokat. Nga lista e kandidatëve për deputetë të VMRO-DPMNE-së këtë herë janë përjashtuar edhe ish-zyrtarët e dyshuar Sasho Mijallkov, Mile Janakievski dhe Gordana Jankullovska. Analisti Mersel Bilalli shprehet se Gruevski tani është në tentim për të siguruar imunitet së paku për ata që janë të përfshirë në projektin “Shkup 2014”, si projekti më grandioz që është nën hetimin e Prokurorisë Speciale.