Ende asnjë gjurmë rreth të arratisurve nga burgu i Idrizovës që nga 15 dhjetori 2016. Policia deri më tani disa herë ka dështuar në kapjen e tyre. Nga MPB nuk ndajnë informacione për zhvillimet e fundit, por thonë shkurt se po punohet në lokalizimin e të arratisurve Orce Milenkovski dhe Bedri Kovaçi. Dy të fundit janë shndërruar nga makth për qytetin e Kumanovës. Së fundi Kovaçi dhe Milenkovski me dhunë kanë grabitur një nga shitoret zinxhir në qytetin e Kumanovës, Elida Market, ku me pistoleta kanë kërcënuar kasierin dhe i kanë marrë parat. Para veprës së lartpërmendur, i arratisuri Orce Milenkovski me dhunë kishte grabitur edhe gjykatësin në Gjykatën Themelore të Kumanovës, Zoran Solarski, të cilin bashkë me shokun e tij e kishte lidhur në villen në të cilën gjendej në ato momente në një fshat në periferi të Kumanovës. Dyshohet se Solarski dhe Milenkovski janë njohur prej më herët, respektivisht, Solarski para se të fillonte me punë në Gjykatën Themelore të Kumanovës, kishte punuar për 5 vite në Institucionin avokat shtetëror. Alsat tentoi të kontaktoj me gjykatësin Solarski por ky i fundit nuk pranoi të komentojë atë që i kishte ndodhur.

Dyshohet se pas aktit qëndron hakmarrja e Milenkovskit ndaj Solarskit pasi ky i fundit, sipas burimeve të Alsat, nuk e ka ndihmuar në mënyrë profesionale Milenkovskin në kohës kur gjendej para gjykimeve për veprat e shumta. Megjithatë informacionet nuk kemi arritur t’i konfirmojmë nga që Solarski injoroi bashkëbisedimin. Viktimë e grabitjeve të njëpasnjëshme të dy të arratisurve Milenkovski dhe Kovaçi ka qenë edhe një taksist i cili mbrëmjen e 31 dhjetorit fillimisht i kishte kryer shërbim si taksi deri në vendin e njohur si Preovcë, ku më pas nën kërcënimin me pistoleta i kanë marrë paratë, celularin dhe veturën. Vetura është gjetur nga policia, ndërsa për momentin po mbahet në stacionin policor në Kumanovë për hetime dhe prova.

Jo zyrtarisht një tentativë për grabitje të arratisurit kanë planifikuar edhe ndaj gjykatëses në Gjykatën Themelore të Kumanovës Maja Denkovska e cila njëkohësisht është edhe gjykatësja e cila ka shqiptuar dënimin prej 17 vite e dy muaj për Orce Milenkovskin. Megjithatë Denkovska është ndodhur me pushime jashtë shtetit ndërsa në punë është kthyer të hënën që lamë pas.

Ndërkohë nëpër qytet janë vendosur afishe të cilat njoftojnë se i arratisuri Orce Milenkovski është person i rrezikshëm dhe se deri në kapjen e tij nga policia qytetarët duhet të kenë kujdes. Milenkovski është i dënuar me 17 vite e dy muaj burg, kryesisht për kidnapim, grabitje dhe trafikim droge. Për vepra të njëjta është dënuar me 15 vite burg  edhe tashmë bashkëpunëtori i tij Bedri Kovaçi nga Shkupi.

Milenkovski dhe Kovaçi më 15 dhjetor u shpallën në kërkim nga policia pas alarmimit nga burgu i Idrizovës të cilët njoftuan se dy protagonistët janë arratisur nga qelia duke kërcënuar rojën Lube Dimitrov të cilin me veturën personale e kanë detyruar t’i dërgojë deri në Nerez të Shkupit.

Gjatë vitit 2016, nga burgu i Idrizovës janë arratisur gjithsej 83 persona. 22 prej tyre janë kapur ndërsa 61 janë në kërkim nga policia./Alsat-M