Ditë e diel, ditë buzë ardhjes së stinës së ftohtë dimrit. Dikush e shfrytëzon këtë ditë për të pushuar pas një jave të gjatë pune, dikush zgjohet në mëngjes dhe veten e sheh gjatë tërë ditës para librit, duke jetuar kështu jetën studentore, e dikush duke mos qenë në marrëdhënie pune pasi që jetoi edhe jetën studentore, e ka të njëjtën rutinë të shëtitjeve nëpër qytet e bredhjen nëpër kafenetë e qytetit. Ndoshta edhe pa vullnetin e tij/saj, por, kjo gjë është bërë përgjithësi e rëndomtë e rinisë shqiptare në Maqedoni.

Frymën pesimiste, dëshprimin si dhe mllefin ndaj gjendjes aktuale tash e sa kohë, nuk e ke të vështirë ta konstatosh. Vetëm ulu për një kafe, fillo bisedën dhe do ta shohësh. Kjo nuk bën, as kjo nuk po bën, asgjë nuk është siç duhet. Edhe ashtu është. Por, puna është se gjithë ajo e keqe që kundërshtohet zëshëm në shoqërimin e këngëve të zhurmshme në kafene, nuk po ndodh në vazhdimësi kudo qofshim, por, po ngelin aty në mesin e ndonjë lëngu apo kafeneje të pirë.

Sidomos tani, në këto javë të zhurmshme të një fushate larg të qenit fushatë parazgjedhore e cilësisë që po e dëshirojmë, apo ndoshta edhe realisht është vetëm reflektim i realitetit të shoqërisë tonë fatkeqësisht.

Marketingjet e sloganet e ndryshme, populizmi si dhe tendenca për tregueshmëri të sterilitetit të tyre partiak, padyshim se do ta ngacmonte çdo qytetar me vetëdije politike. Qytetari i një republike padyshim se duhet të jetë qenie politike dhe çdoherë të jetë i zëshëm ndaj çdo veprimi politik që ndodh pavarsisht asaj se është apo nuk është fushatë. Por, në rregull, për atë që nuk kemi ngritur zërin më parë, po ia falim vetes disi, gjithmonë me shpresë se tash e tutje do të ndryshonim qasjen tonë.

“Ama politika qenka e pisët; mos fol se nesër ngel pa punë; more vetëm shiko interesin tënd; cilën parti ta votoj, asnjë nuk bën” e shumë e shumë qasje të tilla nuk zënë vend në argumentimin e të qëndruarit anash këtyre ndodhive që po ndodhin. E pisët është pasi që ne nuk e pastruam dhe e lëmë të bëhet kështu si është sot, do të ngelësh pa punë pasiqë ishe Ti ai që duke u treguar “apolitik” u dhe komoditet që ata të sillen si padronët e tu. Me një fjalë, duke e konsideruar veten vetëm si qenie biologjike që si “shpërblim” do të kishe rehatinë dhe gjitha të mirat personale, arrite në një situatë ku cenohesh edhe fizikisht. Edhe atë duke filluar nga pasiguria në rrugë, pasiguria në institucione e pasiguri edhe në shtëpi. Për këtë gjë, gjithë ne qytetarët “e ndershëm, të paanshmit” jemi fajtor, askush tjetër!

Prandaj, mos hesht, thuaje mendimin që ke, kritiko si dhe gjithmonë në gjuhën e argumenteve, qëndro pas qëndrimit tënd! Të qenurit qenie politike nuk do të përkthehej assesi njësoj si siç po i shohim këta qen politik! Mos e shit votën, as për punë as për ngritje në punë, as për njëmijë denarë apo për një thes miell! Pasi që buka nuk ka çka të vynë, kur nuk ke dinjitet!

Dil edhe voto, nuk je më interesant kur thua “nuk votoj, se nuk kam për kë të votoj”!

Secila votë kundër këtij pushteti është ngrijte e zërit si dhe vulosje e atyre kritikave të tua në një nivel edhe më të lartë, sesa kritikave të lëna vetëm në nivel kafeshë. Unë po të them voto këto subjekte opozitare që na janë ofruar, assesi pushtetarët e zhytur deri në fyt në krim e që duhen ndëshkuar nga ana jonë.

“Ama edhe këta nuk janë të mire”, po në rregull o mik, gjërat duhen marrë me prioritet, më trego cila është e keqja më e madhe në këtë vend; unë po të them ja ku është ujku, ti po më thua ja ku është tragu! Po të ishe ti vetvetja yte, këta “që nuk qenkan të mirë” nuk do të ishin ata të njëjtit që i sheh me syrin tënd, por, do të ishin ndryshe, pse jo, ndoshta edhe më të mirë.

Bëmë se çfarë bëmë, ka ardhur koha që oborrin tonë të fillojmë ta pastrojmë edhe atë vetëm nga vet ne, jo ndokush tjetër. Kjo fillon nga dita e diel, nëse dëshiron një jetë me dinjitet, një jetë më të mirë! Ndryshimi je ti, prandaj ndrysho!

Kastriot Osmani