Njëzëri me 101 vota “PËR” u votua nevoja për sjelljen e Ligjit për pagën minimale, e cila do të jetë 18 mijë denarë, ku do të përfshihen rreth 80 mijë punëtorë, ndërsa do të vlejë nga paga e muajit mars. Ministrja për punë dhe politikë sociale, Jovana Tërnçevska, duke arsyetuar ligjin tha se përveç asaj që u përcaktua paga minimale, është ndryshuar edhe metodologjia për harmonizim.

“Me propozim ndryshimet për Ligjin për pagën minimale ndryshohen kriteret për harmonizim vjetor të pagës minimale me 50% nga rritja vjetore e pagës mesatare dhe 50% nga rritja e shpenzimeve në përputhje me të dhënat e Entit shtetëror për statistikë për vitin paraprak. Me qëllim të zgjidhjes sistemore të çështjes së pagës minimale, me propozim ndryshimet parashihet që lartësia e pagës minimale të mos jetë më e ulët se 57% e pagës mesatare“, tha Jovana Tërnçevska, ministre për Punë dhe Politikë Sociale.

Opozita thotë se ata do ta mbështesin Ligjin për rritjen e pagës minimale, por paralajmëruan amendament për rritjen e pagave tjera. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, thotë se me këtë amendament nuk do të lejohet barazimi i pagës minimale me pagat tjera dhe kërkon që Qeveria të respektojë marrëveshjet kolektive.

“Kërkojmë që shuma e koeficientit dhe vlera e pikëve në marrëveshjen kolektive në gjithë nivelet dhe në gjithë sferat të harmonizohen me rritjen e pagës minimale, me çka në mënyrë graduale do të rriten pagat. Presim nga Qeveria, nga ana e partive parlamentare i njëjti amendament të pranohet për shkak se secili meriton që të jetojë më mirë pa marrë parasysh në cilën pjesë të administratës është punëtori. Qeveria duhet të tregojë përgjegjësi dhe seriozitet dhe ta realizojë harmonizimin”, pohoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Pasi që Ligji kaloi filtrin e parë parlamentar, tani për të duhet të debatohet në Komisionin për punë dhe politikë sociale dhe më pas të vendoset në seancë.