Pas rastit të mbrëmshëm ku në Aeroportin “Aleksandri i Madh” në Shkup u shkaktua panik, për shkak të gjetjes së një telefoni celular, i cili ishte harruar në ndenjësen e avionit të kompanisë “Turkish Airlines” që do të udhëtonte për në Stamboll, reagoi kompania në fjalë duke kërkuar ndjesë deri te pasagjerët për vonësën e avionit, i cili për shkak të objektit të dyshimtë zbatoi procedurat e sigurisë së fluturimeve, raporton Anadolu Agency (AA).

Në reagimin e kompanisë “Turkish Airlines” theksohet se procedurat e sigurisë së fluturimeve janë të detyrueshme sipas rregullores së korporatës dhe rregullores ndërkombëtare të fluturimeve, ndërsa pas disa masave shtesë të nevojshme me iniciativë të zyrtarëve të sigurisë së aeroportit, në orën 22:45 sipas kohës lokale janë mbyllur dyert dhe udhëtimi në fjalë është realizuar pa asnjë problem.

Nga kompania “Turkish Airlines” apelojnë që të mos merret parasysh asnjë lajm i pavërtetë i plasuar jashtë kësaj komunikate zyrtare.

“Me këtë rast, i falënderojmë qytetarët e respektuar të Maqedonisë për besimin dhe gatishmërinë që kanë për markën tonë. Po ashtu, jemi falënderues edhe ndaj autoriteteve të Maqedonisë për drejtimin e këtij procesi me besim dhe për kurorëzimin e tij me rezultate të suksesshme”, thonë nga kompania turke.

Turkish Airlines është kompania që realizon fluturime në më së shumti shtete dhe destinacione ndërkombëtare në botë, ndërsa misioni i saj për ta lidhur Maqedoninë me botën përmes Stambollit si qendër tranzitore, vazhdon pa ndërprerje që nga viti 1998 në koordinim të plotë me partnerët e kompaniseë dhe autoritetet e Maqedonisë.