Edhe në Tetovë edhe në Gostivar çerdhet për fëmijë kanë bërë përgatitjet e nevojshme që të presin fëmijët. Drejtuesit e këtyre çerdheve presin dritë jeshile nga institucionet shtetërore që të fillojnë me punë

Edhe përskaj rritjes së numrit të të infektuarve me virusin Covid 19, lajmi i mirë është se nuk ka të punësuar në çerdhet e Tetovës me këtë virus. Gjithsej 191 të punësuar në çerdhet e Tetovës ishin të përfshirë në skriningun që u është bërë atyre për të parë nëse ka raste me Covid 19 në mesin e edukatoreve. Skriningu është bërë me qëllim që kur të fillojnë me punë çerdhet, fëmijët të jenë të sigurt. 151 të punësuar në Çerdhen “Rinia” dhe 40 nga çerdhet tjera private kanë rezultuar negativ gjatë testimit, pohojnë nga Qendra për shëndet publik në Tetovë. “Gjithsej janë bërë 191 teste nga të punësuarit nëpër çerdhet e Tetovës dhe të Çerdhes “Jabollçinja” në Komunën e Jegunocit. Të gjithë kanë rezultuar negativ sikurse edukatoret po ashtu dhe të punësuarit tjerë” thonë nga Qendra për shëndet publik në Tetovë.

Drejtoresha e Çerdhes “Rinia”, Ramije Dauti është e kënaqur që çerdhet do të punojnë pa problem dhe pa rrezikuar shëndetin e fëmijëve. Për momentin është duke u bërë dezinfektimi brenda dhe jashtë objekteve të çerdheve për fëmijë, ndërsa pritet që ditëve në vijim të arrijnë edhe aparatet për matjen e temperaturës. “Janë përfshirë 5 objekte në Tetovë, një në Xhepçisht, një në Nerasht, një në Bogovinë dhe 6 objekte të qendrave për zhvillim të hershëm. Të gjithë 150 të punësuarit kanë kryer testin për koronavirusin dhe të gjithë kanë dalë negativ. Sa i përket asaj se çfarë ambienti i pret fëmijët këtu, ne kemi bërë përpjekje maksimale që hapësirat të jenë të pastra dhe fëmijët të jenë të sigurt se nuk do të infektohen”, thotë drejtoresha Dauti.

Gjatë kësaj kohe, sërish është bërë lyerja e objektit nga jashtë dhe brenda, ndërsa do të pastrohet tërësisht edhe oborri. “Krahas kësaj do të rregullohen ulëset dhe do të vendosen të reja, ndërsa po ashtu tërësisht do të renovohet edhe këndi për fëmijë që është në oborrin e çerdhes. Ndërmorëm aksion që kur fëmijët të vijnë në çerdhe, të shohin një pamje të re të objektit ku do të qëndrojnë. 141 fëmijë janë në listë që janë pranuar para se zyrtarisht të fillojë me punë çerdhja. Jemi kujdesur që në grupe të ketë nga tre ose katër fëmijë, por nëse edhe kjo është e rrezikshme, atëherë ne kemi edhe hapësira tjera që fëmijët mos qëndrojnë kaq në numër, por sa më pak pranë njëri tjetrit” thotë drejtoresha Dauti.

Sipas saj, në periudhën që pason, kur edhe do të ketë temperatura më të larta, atëherë fëmijët më shumë do të qëndrojnë jashtë në oborr. Po ashtu edhe në Gostivar është renovuar tërësisht objekti i çerdhes. “Renovimi i çerdhes ka kushtuar rreth 140 mijë euro, kurse po ashtu në kuadër të çerdhes do të ketë edhe një bibliotekë. Kjo është hera e dytë që intervenojmë në çerdhet e Gostivarit. Vitin e kaluar intervenuam me mjetet tona, kurse këtë vit intervenuam me mjete të Bankës botërore” tha kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Ndërkohë, ende nuk dihet se kur do të fillojnë me punë çerdhet. Për këtë duhet të vendosin institucionet qendrore shtetërore. (koha.mk)