Sindikata e Pavarur e Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amë pranë Konfederatës së organizatave sindikale, të mërkurën do të protestojë para Ministrisë së Financave pas skadimit të afatit për t’u përgjigjur nëse do të ketë mjete për plotësimin e kërkesave të tyre.

Sindikata i ka dhënë afat Ministrisë së Financave që të përgjigjet nëse ka para për plotësimin e kërkesave, të cilat paraprakisht ishin dakorduar me Ministrinë e Drejtësisë, sa i përket pagesës së largimit në pension, pagesës së K-15 në shumën prej 60 për qind të pagës mesatare.

“Kemi kohë që kërkojmë takim, por nuk e kemi dhe do të protestojmë. Nëse nuk kemi takim, do t’i radikalizojmë hapat. Apeloj që të bashkohen forcat dhe të ulemi në një tryezë të përbashkët për të gjetur zgjidhje për këtë problem që e kanë punëtorët”, deklaroi sot Marjan Risteski nga Konfederata e organizatave sindikale.

Risteski akuzoi se në vend nuk ka dialog social dhe se nuk mund të negociohet vetëm me sindikata të caktuara.

Greva e punonjësve të Drejtorisë për udhëheqjen e librave amë zgjat më shumë se një muaj kurse dokumentet lëshohen vetëm në raste urgjente.