Shtëpi të mëdha por pothuajse çdo e dyta me roleta të lëshuara dhe me dry në derë. Ky është imazhi pothuajse në të gjitha fshatrat e rajonit të Strugës, shkruan Alsat.

Nga Labunishta në Podgorci e Oktis, nga Radolishta në Dellogozhdë, banorët po largohen nga vendlindja.

“Në Dellogozhdë, një nga fshatrat më të mëdha të Strugës, me dikur 4500 banorë, sot jetojnë mezi 1500. Shumica e tyre janë të moshuar. Banorët thonë se familje të tëra janë shpërngulur jashtë vendit”

Banorët e Dellogozhdës thonë se fshati ka vdekur dhe askush nuk sheh më jetë në të.

“Vitet e fundit të tranzicionit njerëzit po largohen për shkak të pasigurisë, jo për arsye ekonomike. Shumica e njerëzve këtu janë larguar, sepse nuk mund të gjejnë drejtësi për asgjë. Më shumë se 50% e të rinjve tashmë po përgatiten të largohen”, deklaroi Jasmin Abdurahmani, banor i Dellogozhdës.

Ngjashëm është edhe në fshatin Livadhi. Edhe këtu një pjesë e mirë e shtëpive janë bosh.

Trendi i shpërnguljes do të vazhdojë, thonë banorët. Të rinjtë do ti mbushin kryeqytetet europiane, dhe me siguri vetëm të moshuarit do të qëndrojnë në shtëpi./ Alsat.mk