Arabia Saudite, Egjipti, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar për destabilizim të rajonit.

Pretendimet e tyre janë mjaft të ashpra; Katari, sipas katër vendeve në fjalë, mbështet grupet terroriste, përfshirë Shtetin Islamik.

Agjensia shtetërore saudite e lajmeve SPA thotë se Rijadi ka mbyllur kufijtë dhe kontaktet tokësore, detare e ajrore me Katarin, duke e izoluar gjerësisht.

Zyrtarët vendas citohen prej saj të pohojnë se një masë e tillë merret për mbrojtjen e sigurisë kombëtare nga rreziqet e terrorizmit dhe të ekstremizmit.

Lëvizja e paprecedentë ka sjellë përçarjen më të fortë mes shteteve të fuqishme të Gjirit, të cilat janë dhe aleate të ngushta të Uashingtonit.

Mosmarrëveshjet vijnë dy javë pasi të njëjtat vende bllokuan sitet e lajmeve të Katarit, ku ishin shfaqur “online” kritikat e rrepta të emirit Al-Thani kundër Arabisë Saudite.

Qeveria e atjeshme pretendon se faqet zyrtare të saj janë vjedhur nga “hacker”-a, por disa raporte tregojnë se komentet që godisnin edhe Presidentin amerikan Donald Trump, mund të kenë qenë të vërteta. /TCH/