Çamçakëzët, flasterët dhe sprejet nazale që ua sigurojnë nikotinën personave që tentojnë të heqin dorë nga konsumimi i duhanit, nuk ndihmojnë në afat më të gjatë, kanë konstatuar ekspertët amerikanë nga Universiteti i Harvardit.

Duke përcjellë 787 persona që kanë provuar ta lënë duhanin, ekipi nga Harvardi ka konstatuar që pas një kohe të caktuar cigares i janë kthyer pothuajse po aq të tillë që gjatë procesit të lënies së cigares kanë përdorur ndonjë nga terapitë e lartpërmendura për ta zëvendësuar nikotinën, sikurse ata që nuk kanë përdorur asnjë mjet ndihmës, bën të ditur AFP.

Tek të dy grupet cigaren përsëri e ka ndezur rreth një e treta e të anketuarve. Madje duhanpirësit e rëndë të cilët kanë përdorur ndonjë nga terapitë për të zëvendësuar nikotinën (pa ndihmë profesionale) kanë qenë edhe nën rrezik dyfish më të madh për t’iu kthyer cigares sesa ata që kanë lënë cigaren pa terapinë e zëvendësimit të nikotinës, transmeton koha.net.

Kjo është ndoshta pse të varurit më të rëndë nga cigarja në terapinë e zëvendësimit të nikotinës kanë parë ndonjë lloj të “pilulës magjike”, e cila do t’i çlirojë nga varësia, dhe pasi që kanë konstatuar që kjo nuk do të ndodhë, kanë ndier që më nuk kanë përkrahje në përpjekjet e tyre dhe që janë të dënuar për mossukses apo dështim.

Hulumtuesit nga Harvardi po ashtu kanë konstatuar që shumë persona nuk u përmbahen udhëzimeve të terapisë për zëvendësim të nikotinës, për të cilat rekomandohet përdorim tetëjavor. Shumica, megjithatë, terapinë e ndërpresin shumë më herët.

Që nga viti 1984, kur është shfaqur çamçakëzi apo goma e parë përtypëse për heqje dorë nga duhanpirja, industria amerikane e preparateve zëvendësuese të nikotinës ka shënuar një bum të vërtetë – sot tregu vlerësohet në 800 milionë dollarë. Përveç kësaj shitja e ilaçeve për të hequr dorë nga pirja e duhanit, që jepen me recetë, në vitin 2007 ka arritur vlerën prej 841 milionë dollarësh.