Nga Vullnet Ferati

Po numërohen ditët e fundit të regjimit njëzetvjeçar dhe sa më shumë po afrohet 15 korriku, aq më shumë shtohet paniku në rradhët e pushtetmbajtësve të dy dekadave të shkuara. Po shtohen edhe metodat diktatoriale të presioneve, shantazheve, kërcënimeve, reketit e lloj lloj matrapazllëqeve tjera të një partie që ka humbur plotësisht busullën, e frikësuar nga humbja e madhe ne 15 korrik dhe e lemeritur se do të shpartallohet krejtësisht kur të ngel në opozitë.

E sigurtë se po humb në Shkup e Kumanovë, Strugë e Gostivar, e madje edhe në Uskanë, sot po shohim se këto forma represioni janë shtuar sidomos në Tetovë, ku kjo parti akoma mendon se mund të shpëtojë lëkurën e vet në kurriz të tetovarëve.
Ne tetovarët ju themi mirë se vini, por si do vini?
Ne tetovarët ju themi mirë se vini, sepse pas njëzet viteve ka ardhur koha që të merrni shqelmin e merituar qëmoti nga Tetova. Sepse Tetova është ajo që të ngrit dhe ajo që të rrëzon. Në kurriz të tetovarëve u ngritët qe 20 vjet, nga grushti i tetovarëve do të bini më 15 korrik.

Para 20 viteve Tetova ju priti krahëhapur, por ju ja kthyet mikëpritjen me përbuzje dhe ofendime, sepse nga ca vartës tuaj tetovarë menduat se të gjithë tetovarët na qenkan bythpambuka. E me 15 korrik do t’a merrni vesh se sa tetovarë e sa bythpambuka ka në Tetovë, sepse Tetova është ajo që të ngrit dhe ajo që të rrëzon.
Para 20 viteve ishte malësia e Tetovës ajo që sakrifikoi më së shumti se çdo vend tjetër, por atëherë nuk e dinte se ju do t’a merrni e përdorni këtë sakrificë për pazarllëqe të ndyra, duke vënë interesin e VMRO e SDSM para interesit të saj. Ju e morrët dhe e sakrifikuat atë për së dyti duke e shndërruar nga një vend të begatë në rajonin më të varfër të vendit.


Një kohë nënat tetovare ju mbajtën me bukë, po sot si do ju thoni pse i keni detyruar bijat e bijtë e tyre të ikin pandalë drejt Perëndimit vetëm pse nuk duan të bijnë në gjunjë e luten para juve Titove e Enverave të ri, e para “naçallnikëve” tuaj lokalë. Si do t’u sqaroni se çfarë nevoje patët t’i shani 700.000 herë po ato nëna që ua dhanë djemtë e tyre e ndanë kafshatën e fundit të gojës me ju?
Si do vini në Tetovë e cila ua çeli vatrat e shtëpive e ua dha djemtë e vet, e ju e targetuat për shkatërrim? Nga një qytet model ju e ngulfatët dhe e shkatërruat atë shpirtin e mrekullueshëm të saj urban, duke e devalvuar, duke e përulur, duke ja ngulfatur arkitekturën dhe stilin e saj unik, duke ja përzënë nëpër botë atë rininë urbane që refuzon të ju nënshtrohet, duke ja përqeshur edhe tifozët e mrekullueshëm të Shkëndijës, duke tentuar t’i ktheni tetovarët në lypësa, vetëm e vetëm që me djersën e gjakun e tetovarit të bëheni “nga të pabrekë në milionera” siç e ka thënë poeti ynë gjenial Ali Asllani.
Por me 15 korrik do t’a kuptoni se Tetova kurrë nuk është përulur, ajo ka ditur t’u bëjë ballë kushedi sa regjimeve dhe përherë është ringritur më e fortë se kurrë. Kështu edhe ju me 15 korrik do t’a merrni vesh se kush është bythpambuku e kush është tetovari i vërtetë.


Tetova përherë ka qenë dhe është shtëpi e çdo shqiptari, ngado qoftë ai. Tetovarë janë edhe ata vëllezër tanë nga Shkupi, Kumanova, Dibra, Struga, Kërçova e Kosova që disi i ka lidhur fati me Tetovën. Ashtu siç ka qenë tetovare edhe nëna ime Dr.Igballe Ferati Rusi, me prejardhje nga Dibra, që punoi dhe veproi në Tetovë duke shëruar mijëra gra e duke sjellur në jetë mijëra fëmijë, e duke edukuar breza të tërë punonjës shëndetësorë. Por ama Tetova nuk duron t’ia fusësh mollën e sherrit e t’a mashtrosh me përalla lokalizmash, siç po bëni këto ditë me njerëz nga qytete e shtete tjera, që po na thonë që kinse ju ja paski dertin Tetovës më tepër se vetë tetovarët.
Sepse ja ku po ju themi, do vini përsëri të shpëtoni lëkurën në Tetovë, por në Tetovë ju pret Adnan Neziri, shembull i zellshmërisë, ndërgjegjes, moralit dhe mbi të gjitha i krenarisë dhe papërkulshmërisë tetovare.
Në Tetovë ju pret edhe profesoresha Ilire Dauti, edukatore e brezave të tëra, një shembull për të rejat e të rinjtë e gjeneratave të ardhshme, ajo që dëshmon se femra shqiptare din dhe mundet shumë më tepër se modeli që ju ja keni ulur përtokë.
Në Tetovë ju pret edhe vëllau ynë nga rradhët e Alternativës, Dr. Hysni Ismaili pinjoll i një familje të vjetër tetovare, përfaqësues i asaj Tetove të vjetër me traditat e saj shekullore,që ju as nuk ja keni haberin.


Disa herë shpëtuat duke u fshehur nëpër skutat e VMRO-së e SDSM-së dhe me ndihmën e tyre na e morrët e na e përdhunuat qytetin. Tani nuk keni ku të fshiheni më. Sepse tash është koha të jepni llogari. Boll keni luajtur me Tetovën dhe tetovarët; koha juaj ka kaluar, edhe këto 20 vite i patët tepër, tash ka ardhur koha për ndryshim. Tetova të ngre dhe Tetova të rrëzon. Më 15 korrik do fundoseni gjithkah, por është pikërisht Tetova ajo që i ka nja dy fjalë me ju dhe që përfundimisht do ju dërgojë në histori.

*Autori është nënkryetar i Aleancës për Shqiptarët