Qarkullimi me vetura private në mungesë të transportit publik në Tetovë do të jetë një nga shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit. Arianit Xhaferi nga Eko Guerila thotë se sipas analizave të bëra, rreth 20% e ndotjes enorme të ajrit në Fushën e Pollogut vjen si pasojë gazrave që emitojnë veturat.

“Qyteti i Shkupit ka porositur autobusët më modern dhe më ekologjik që janë në treg, ndërkohë që Komuna e Tetovës nuk është në gjendje, së paku 6 vitet e fundit që ne kemi punë me këto aktivitete, që të sigurojë 8 autobusë. Kjo është asgjë tjetër përpos shenjë e paaftësisë dhe mungesës së vullnetit të tyre për të gjetur një zgjidhje që i tangon qytetarët kaq shumë”-tha Arianit Xhaferi, Eko Guerila.

Qytetarët e revoltuar me gjendjen aktuale, kërkojnë urgjentisht që të vihet në funksion transporti publik në Tetovë, me qëllim që të shmanget kaosi në trafik dhe ndotja e ajrit.

Ndërkaq nga Komuna e Tetovës thonë se kanë fituar projekt prej 72 milion denarësh, për blerjen e rreth 5 autobusëve urban. Kompetentët thonë se janë në pritje të afateve ligjore për jetësimin e transportit publik në Tetovë, duke mos dhënë datë të saktë se kur pritet që të fillojë me punë linja e parë.

“Komuna e Tetovës përmes Bankës Botërore ka fituar projekt në vlerë prej 72 milion denarësh për furnizim me autobus të rinj. Ky projekt është në kuadër të programit MSP2 për përmirësimin e shërbimeve komunale, nga ku kemi marr përgjigje pozitive dhe punohet dorëzimin e projektit dhe në bazë të afatit të caktuar siç edhe është e paraparë në projekt do të bëhet edhe furnizimi dhe nënshkrimi i kontratës”-tha Fejsal Beadini, drejtor i Ndërmarrjes publike “Tetova Transport”.

Tetova viteve të kaluara ka qenë në krye të listës së qyteteve më të ndotura në botë. Në rajonin e Tetovës, janë të regjistruara mbi 40 mijë vetura, të cilat frekuentojnë thuajse çdo ditë rrugët e qytetit. /Alsat M/