Tetova sërish mban vendin e parë si qyteti më i ndotur në Europë.

Mbrëmjen e së dielës, aparaturat matën koncentrim ekstrem të lartë prej 801 mikrogramë në metër kub të grimcave PM10. Këto shifra janë shqetësuese marrë parasysh se sezoni i ngrohjes, ende nuk ka filluar me kapacitetin e tij të plotë. Rreth orës 21:00 të së dielës stacionet monitoruese shtetërore në aplikacionin “Ajri im”, treguan rritje edhe të koncentrimit të grimcave PM 2.5, të cilat nga 50 mikrogramë në metër kub sa duhet të jenë, arritën në 123. Nga stacionet matëse në mëngjes tregojnë 138 mikrogramë në metër kub të PM10, me çka Tetova është edhe qyteti më i ndotur në vend.

Nuredini: Shifrat duhen vërtetuar, aparati ka pasur defekt

Ministri i mjedisit jetësor, Naser Nuredini, pret që autoritetet lokale të vërtetojnë nëse ka pasur problem instrumenti matës apo me të vërtetë ndotja e ajrit ka qenë aq e lartë. Potencoi megjithatë se të dhënat nga ditët kur është rritur koncentrimi i grimcave të dëmshme nuk janë të plota, pasi nga 26 prilli i këtij viti instrumenti për matjen e grimcave PM10/2,5 është dërguar në laboratori të akredituar për kalibrim në Vjenë të Austrisë.

Pas kthimit, i njëjti është instaluar më 23 shtator këtë vit dhe prej kësaj date ka të dhëna për grimcat PM10 dhe PM 2.5 nga Tetova. Gjithsesi, Nuredini thotë se gjërat duhen vërtetuar. Sipas standardeve shëndetësore botërore parashihet se në vit nuk duhet të ketë më shumë se 35 ditë me ajër të ndotur. Standardet në vendin tonë tregojnë se gjendja e tillë mund të zgjasë edhe me muaj. (Tvm2)