Reshjet e shiut që kapluan vendin tonë ditëve të fundit kanë shkaktuar probleme në rrjetin e ujësjellësit të Tetovës. Si pasojë e reshjeve të shiut, për pesë herë është rritur niveli i ujit në burime dhe kjo ka bërë që uji të jetë i turbullt. Në ndërkohë, për pasojë – kjo ka bërë që tërë qyteti i Tetovës të mbetet pa ujë të pijshëm për shkak se uji nuk i plotëson parametrat mikrobiologjik. Tashmë dy ditë, qytetarët e Tetovës janë pa ujë të pijshëm për shkak se i njëjti është ndaluar nga ana e Qendrës për Shëndet Publik në Tetovë.

“Analizat që i kemi bërë tregojnë se gjendja e ujit është duke u përmirësuar për dallim nga një ditë më parë, por mbetet në fuqi ndalesa që uji të jetë i pijshëm”, deklaroi Ratko Davidovski, mjek në Institutin për Shëndet Publik në Tetovë. Sipas tij, analizat e sakta priten të dalin gjatë ditëve në vijim dhe qytetarët do të njoftohen se a mund të konsumohet apo jo uji. Ai shfaqi shpresë se shumë shpejtë kjo situatë do të tejkalohet ngase uji ka klor të mjaftueshëm, por për momentin – qytetarët nuk duhet të konsumojnë ujin nga çezmat e tyre. Sipas informacioneve, sistemi që grumbullon ujë nga lumi i Leshnicës, tashmë pesë ditë është jashtë funksionit, për shkak të ujit të turbullt, ngase filter-stacioni që u ndërtua para disa vitesh nuk pranon ujë jo të pastër.

Po ashtu, problem me ujin e pijshëm janë shfaqur edhe në rajonin e Komunës së Gostivarit. “Për shkak të reshjeve intensive gjatë këtyre ditëve, ka ardhur deri tek ndotja e ujit në burimin e lumit Vardar dhe për pasojë, uji në rrjetin e ujësjellësit të Gostivarit është i ndotur dhe nuk guxon të përdoret për pije”, njoftojnë nga Komuna e Gostivarit. Ndryshe, nga Komuna e Tetovës njoftojnë se pas reshjeve të mëdha të shiut në rajonin e komunës, erdhi deri në rritje të konsiderueshme të nivelit të lumenjve dhe ujërave, që në disa vende jashtë qytetit kanë shkaktuar edhe vërshime dhe janë dëmtuar sipërfaqet e mbjella bujqësore në atarin e fshatit Falisht të Komunës së Tetovës.

“Në lumin në Reçicë të Madhe në punë janë kyçur edhe banorët e fshatit, si dhe kompani lokale që me vetiniciative kanë angazhuar makineri për të parandaluar një vërshim të mundshëm të lumit brenda dhe në dalje të fshatit. Si pasojë e reshjeve ka ardhur edhe deri te shembja e dheut në rrugën lokale Brodec-Veshallë, e cila është e kalueshme por komunikacioni zhvillohet me vështirësi”, bëjnë të ditur nga Komuna e Tetovës. (koha.mk)