Nga Abdulla Mehmeti 

Tetovarët janë lodhur tepër, sidomos gjatë viteve të fundit, nga politika, situata e rëndë ekonomike, papunësia dhe problemet sociale, nga ,,reformat” eksperimentet në sferën e arsimit, nga patriotizmi i rrejshëm dhe prirja e pafund për një fije drite në tunelin e pafund të tranzicionit, nga kalimi prej diktaturës komuniste në demokracinë e premtuar, që u solli po aq fatkeqësi, varfëri dhe zhgënjim sa edhe diktatura komuniste. Askush sot nuk mund të jep përgjigje të saktë sa tetovarë i kanë lënë vatrat e veta, jo për jetë më të mirë dhe kërkim të lumturisë, por për mungesë perspektive dhe sigurim të ekzistencës në katër anët e botës, sidomos në Evropën Perëndimore. Në këtë qytet, askush nuk mund të jep përgjigje të saktë, kur ka filluar lufta e fundit dhe kur ka mbaruar ajo, sepse vazhdimisht kanë ndodhur vrasje, plaçkitje, dhunë dhe terror mbi popullatën e këtij qyteti, nga individë dhe grupe kriminele, por nuk ka munguar as edhe dhuna e institucioneve të shtetit mbi kurrizin e qytetarëve të Tetovës, mjafton që Tetova të jetë në top listat e zeza të mediave vendëse dhe të huaja.

Të dërmuar nga kjo gjendje, me mendje të mpirë nga propaganda sistematike e pushtetit dhe qarqeve të caktuara, të cilat zhvillojnë ,,luftë speciale” të pandërprerë mbi këtë popullatë, askush nuk ka mundësi dhe hapësirë t’i trajtojë problemet më jetike të tetovarëve, siç është helmimi i pakontrolluar nga Jugohromi dhe katastrofat natyrore që e goditin shpesh këtë qytet dhe regjionin më të gjerë.

Asnjë popull nuk mund të jetojë në gjendje normale në këto kushte, prandaj edhe nuk mund të presim as kujdesin më minimal dhe parandalimin e pasojave nga këto fenomene.

Para pak ditësh, më 3 gusht të këtij viti, regjionin e Tetovës e goditën përmbytje të mëdha, të cilat si pasojë lanë edhe viktima në njerëz, mes tyre edhe 4 fëmijë, tre prej të cilëve vetëm në katundin Shipkovicë. Nuk mungoi solidarizimi i qytetarëve të tjerë, as i institucioneve të shtetit, me banorët e fshatrave dhe lagjeve të përmbytura, por njëherësh dolën në pah edhe paaftësitë tona për t’u përballur me këtë fatkeqësi. E gjithë kjo shpresojmë të tejkalohet për një kohë, siç tejkaluan edhe shumë fatkeqësi të tjera në të kaluarën, të cilat e goditën kohë pas kohe këtë qytet dhe rrethinën e tij. Çështja është më delikate dhe pret përgjigje më të plotë nga ekspertë vendës dhe të jashtëm, se çka mund të ndërmerret për parandalim e këtyre fatkeqësive, më konkretisht, mbrojtja e nga përmbytjet e ardhshme, të cilat shpesh e kanë goditur këtë qytet dhe vendbanimet përreth. Nuk është shumë i largët viti 1979 kur Tetova u përmbyt nga vërshimet dhe ja, këtë vit sërish, me gjithë masat e ndërmarra për parandalimin e këtyre katastrofave, menjëherë pas vërshimeve të viti 1979, sërish shtrohet nevoja urgjente për ndërmarrjen e masave shtesë, kësaj radhe më serioze për parandalimin e vërshimeve, të cilat askush nuk mund t’i paramendojë se çfarë intensiteti mund të kenë dhe çfarë katastrofash mund t’u sjellin banorëve të Tetovës dhe fshatrave përreth saj, sidomos të atyre rrëzë Malit Sharr.

Me këtë rast, siç do të thoshte Kadare ,,ra ky mort dhe u pamë”, duhet më seriozisht t’i trajtojmë këto probleme dhe me kontributin e secilit prej nesh të gjejmë zgjidhje më të mirë he më afatgjatë, për të mirën tonë dhe të gjeneratave të reja. Askush nuk guxon ta trajtojë këtë çështje thjeshtë si fatkeqësi e zakonshme, si problem humanitar, as si të rastësishëm, por si një problem serioz me të cilin duhet të përballemi edhe gjatë kohë. Është koha e fundit kur duhet në zgjidhjen e këtij problemi ta thotë falën e vet edhe shkenca dhe ekspertët e fushave përkatëse, gjeografë, gjeologë, inxhinierë, pa edhe ekspertë të çështjeve të sigurisë kombëtare.

Do të mjaftonte vetëm një analizë e vëmendshme e terrenit dhe situatës që të konstatojmë se problemi me vërshimet e ujërave të rrëmbyeshëm të Malit Sharr që zbresin në fushën e Pollogut dhe sidomos nëpër vendbanime, si lumi Shkumbin (Artat) që kalon përmes qytetit të Tetovës, lumenjtë e tjerë malorë që kalojnë në fshatin Poroj, Reçicë, Pallçisht etj., është shumë serioz dhe me rrezik të sjellin fatkeqësi me përmasa shumë më të mëdha dhe të paparashikueshme.

Vërshimet e 3 gushtit të këtij viti erdhën si pasojë jo e vërshimeve nga të reshurat e zakonshme, por nga goditja e ndonjë cikloni, i cili me gjithë dëmet dhe fatkeqësitë që solli, nuk pati shtrirje më të gjerë në bjeshkët e Sharrit. Goditja e këtij cikloni kryesisht pati një shtrirje të kufizuar vetëm në disa pjesë të këtyre bjeshkëve, që sipas llogarive të specialistëve të fushave përkatëse nuk ka përfshirë as 10% të sipërfaqes së këtyre bjeshkëve. Paramendoni sikur ky ciklon të kishte goditur në një sipërfaqe më të madhe dhe të kishte zgjatur vetëm disa minuta më tepër, pasojat e tij do të ishin të paparashikueshme, tejet katastrofave, sidomos për qytetin e Tetovës. Vetëm nga ujërat e disa përrenjve (lumenj të thatë malorë) që kalojnë nëpër territorin e Shipkovicës, shtrati i lumit i cili kalon përmes qytetit të Tetovës është mbushur përplot dhe ka vërshuar. Po sikur të kishte pasur të reshura në tërë hapësirën e bjeshkëve të Sharrit, ose në rastin më tragjik, po të kishin zgjatur të reshurat disa orë, sigurisht që sasia e ujit do të ishte disa herë më e madhe dhe cilat do të ishin pasojat vetëm mund ta paramendojmë.

Paramendoni të ndodhte përmbyta e qyteti nga lumi i rrëmbyeshëm me sasi uji tri 0se katër herë më tepër seç mund ta përballojë shtrati i tij?!

Me këtë rast, sa për ta nxitur kureshtjen e studiuesve dhe atyre që duan të merren seriozisht me trajtimin e këtij problemi, dua t’i përkujtoj se:

1. Qyteti i Tetovës si vendbanim është relativisht i ri. Nga një hartë që posedonte profesori i ndjerë Ali Vishko, e shekullit 13-të, ky vendbanim ka ekzistuar diku rrëzë Malit të Thatë, në Pollogun e Poshtëm, me emrin B(p)ollog. Në rrethinat e qytetit të sotëm të Tetovës dihet se ka pasur vendbanime që nga koha antike, disa shekuj para erës së re, por ato vendbanime kanë qenë të vendosura kryesisht në vise më të sigurta, jo vetëm për shkak të mbrojtjes më të mirë nga sulmet ushtarake të pushtuesve, por sigurisht edhe për shkak të mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore, si në Hisar (Kalaja antike e Oeneumit), Leshkë, Nerasht, Gradec, në grykën e Dervenit (Lërcë) etj.

2. Nga çdo gërmim në thellësi të tokës mbi të cilën është ndërtua qyteti i Tetovës, gjatë hapjes së themeleve për ndërtimin e objekteve, hapjen e puseve, të gropave për thithjen e ujërave të zeza, apo çfarëdo gërmimi tjetër në thellësi të tokës më tepër se dy-tri metra, vërehet se nën shtresën e tokës së punueshme (humusore), me trashësi vetëm dy-tri metra, menjëherë fillon shtresa tjetër me përbërje prej zalli, shkëmbinjve me formë të rrumbullakët dhe e tërë përbërja e saj, pa analiza të hollësishme tregon se bëhet fjalë për masë e ardhur nga vërshimet e dikurshme, dhe jo për zall dhe shkëmbinj si pjesë e brendisë së tokës.

3. Nëse kjo masë e rërës dhe shkëmbinjve, e mbuluar me një shtresë të hollë të tokës së punueshme, dëshmon qartë se dikur kjo masë ka ardhur nga vërshimet prej Malit Sharr në Luginën e Pollogut, përkatësisht në hapësirën ku sot ngrohet qyteti i Tetovës, atëherë duhet të studiohet me saktësi se kjo masë e ardhur sigurisht nga lartësitë e bjeshkëve, cilës kohë i takon, ndërsa ekspertët ta japin mendimin e tyre, se cilat kanë qenë përmasat e këtyre vërshimeve në të kaluarën, me qëllim të parandalimit të ndonjë katastrofe të parashikueshme, e cila do të ishte fatale për qytetin e Tetovës. Banorët më të moshuar të Tetovës dhe studiuesit e dinë që edhe në kohën më të re, vetëm disa qindra vjet më parë, Tetova si vendbanim është shtrirë në rrëzë të malit, nën Kalanë e Tetovës, e jo në rrjedhën e lumit, i cili së paku çdo 20-30 vjet, sa mbajnë mend banorët e tij, ka përmbytur lagje të tëra të qytetit, sidomos ato afër shtratit të lumit, siç ndodhi në vitin 19979 dhe më 3 gusht të këtij viti.

4. Planifikimi hapësinor i këtij qyteti duhet të rishikohet seriozisht, ndërsa ekspertët për siguri, gjithsesi duhet ta thonë fjalën e tyre se, a duhet të zhvillohet ky qytet edhe më tej në mënyrë të paplanifikuar, pa i marrë parasysh pasojat e përmbytjeve në të ardhmen.

Duhet të merret parasysh edhe fakti se, në Malin Sharr ka dhjetëra liqene natyre dhe kush e din se sa liqene nëntokësore, të cilët nuk janë studiuar ende, masa e ujit të së cilëve do ta rrezikonte seriozisht qytetin e Tetovës, sidomos pas ndonjë tërmeti të fuqishëm ose nga të reshurat e tepërta.

Të vetëdijshëm se askush nuk mund ta kontrollojë natyrën dhe fenomenet e saj, as t’i parandalojë fatkeqësitë e mundshme, do të ishte mirë të mendojmë, analizojmë dhe studiojmë sa më tepër, sidomos për përmbytjet nga lumenjtë malorë dhe nga shpërthimi i ujërave nëntokësorë, me qëllim që pasojat e këtyre katastrofave të jenë sa më të vogla.