Banorët e Tetovës kërkojnë zgjidhje të problemit më qentë endacakë për shkak të rrezikut me të cilin përballen thuajse çdo ditë. Ata mirëpresin masat që po ndërmerren nga komuna, por thonë se janë të pamjaftueshme për një zgjidhje të përhershme të problemit që përbën kërcënim serioz për jetën e tyre.

“Rrezik të madh kemi rrezik të madh. Edhe pse s`ka tani sikurse para. Ndoshta mund të zgjidhet por se di, varet si e kanë gjendjen ekonomike”, tha një banor.

“Duhet të marrin masa por për momentin nuk jam duke parë zgjidhje, s`marrin masa asgjë. Është rrezik për studentët, nxënësit që shkojnë në shkolla. Kam pas rast edhe vet kur kam hasur në sulm prej qenit ndaj një gruaje dhe e kam ndihmuar. Nuk e di nëse do zgjidhet por problematika është shumë e madhe”, shtoi një banor tjetër.

“Shumë pengojnë na frikësojnë shumë, para gjysmë ore dola në shesh shumë kishte dhe janë agresiv. Kudo i hasim. Nuk besoj se do zgjidhet ky problem, sepse po përflitet shumë vite, ekziston opsioni për ta zgjidh por edhe pse lëndojnë njerëzit i trembin nuk bëhet asgjë”, u shpreh një zonjë.

Komuna e Tetovës kohë më parë miratoi një vendim për dëmshpërblimin e qytetarëve që do kafshohen nga qentë endacakë. Bëhet fjalë për një vendim që aplikohet edhe në komunat tjera të vendit por që në Tetovë ishte shfuqizuar nga ish drejtuesit e komunës. Një komision prej pesë anëtarëve, dy mjekë dhe nga një përfaqësues nga ndërmarrja publike dhe dy juristë do të përcaktojnë pasojat nga sulmet e qenve endacak. Dëmshpërblimi sillet prej 5000 deri në 100.000 denarë, varësisht nga pasojat. Nga komuna e Tetovës thonë se kjo mënyrë e dëmshpërblimit është ndërmarrë që lëndët të mos presin muaj të tërë nëpër gjyq apo përmbarues.

“Nuk është aspak ikje nga përgjegjësia apo ndonjë lojë, por është hap në drejtim të ikjes prej përmbaruesve sepse, udhëheqësia paraprake ka ndaluar dëmshpërblimin e qytetarëve nga kafshimi prej qenve endacak dhe qytetari është detyruar që lëndën ta dorëzoj tek gjykata dhe pastaj të pret përmbaruesin që ta sjellë lëndën tek komuna e Tetovës ku e dimë se kemi komunë me xhiro të bllokuar me rreth 400 lëndë dhe duhet të pres deri të arrij lënda e tij e cila do merrte pesë deri në dhjetë vite derisa të dëmshpërblehet”, tha Besar Durmishi. Kryetar i këshillit të komunës së Tetovës.

Nga komuna premtojnë zgjidhje të problemit me qentë endacak përmes trajtimit dhe strehimit të tyre, që të mos nxirren sërish në rrugë. Premtojnë sigurimin e hapësirës dhe caktimin e një firme e cila do të merret me trajtimin, sterilizimin dhe mbajtjen e qenve në hapësira të posaçme. Nga sektori për Punë të brendshme në Tetovë thonë se gjatë vitit 2022 janë regjistruar 59 raste kur qytetarët janë kafshuar nga qentë endacak, ndërsa gjatë janarit të vitit 2023 kanë evidentuar 4 raste./Alsat.mk