Ndërsa nxënësit vazhdojnë të paguajnë nga xhepi i tyre transportin për në shkolla, i cili është falas, drejtuesi i sektorit për arsim në Komunën e Tetovës, Ahmed Qazimi, nuk është në dijeni të këtij problemi. Madje Qazimi thotë se gjithçka është në rregull dhe se pritet të kalojë afati i ankesave dhe të nënshkruhen kontratat.

“ Vendimi i shkollave iu është dërguar kompanive që të hënën e kaoluar, afati i animimit besoj se ka përfunduar dhe ne jemi në pritje të nënshkrimit të kontratave. Nuk kam njohuri për ankimim nga kompanitë në lidhje me procedurën apo furnizimin”, deklaroi Ahmed Qazimi, përgjegjës i Sektorit për Arsim në Tetovë.

Gazetari :A keni njohuri se nuk barten nxënësit?

“Domethënë prej fillimit të vitit e deri më tani procesi është zhvilluar pa ndërprerë dhe nxënësit që kanë munguar nëpër shkolla e kanë paraqitur me arsyetim për mungesë të transportit”, u përgjigj Qazimi.

Por edhe përkundër përsëritjes së pyetjes nëse komuna është në dijeni se nga dy rajone të Tetovës nxënësit nuk transportohen në shkolla, Qazimi jep përgjigjen e njëjtë, duke theksuar se nuk ka ndërprerje të kontratave.

“Nuk ka ndërprerje të kontratave sepse është një furnizim i ri që ka filluar që nga muaji qershor dhe që ka përfunduar para përfundimit të vitit shkollor dhe në suaza të kompetencave ligjore të cilat i kanë shkollat pra janë duke vepruar në kuadër të këtyre kompetencave për furnizime publike dhe transport të nxënësve”, tha Qazimi.

Qazimi megjithatë nuk deshi të tregojë shifrën e saktë të borxheve ndaj transportuesve, duke theksuar vetëm se ky është borxh i vjetër./alsat-m