Edhe pse erdhën me një dekadë vonesë, autobusët në Komunën e Tetovës edhe për një kohë nuk do të lëshohen në përdorim. Kjo për shkak se autoritetet lokale ende nuk janë gati. Deri atëherë autobusët do të qëndrojnë të parkuar në oborrin e zjarrfikësve.

Kjo për shkak të vonesave në parapërgatitjen e terrenit për transportin publik, siç janë caktimi i vijave kah do lëvizin autobusët, punësimi i administratës në ndërmarrjen publike për transport, dhe caktimi i zyrave të tyre.

“Më pas do vijojë edhe puna e kompletimit të administratës së ndërmarrjes me të punësuar si dhe shpallja për pranimin e shoferëve të autobusëve. Ndërkohë në seancën e radhës do kalojmë edhe pronësinë e autobusëve në ndërmarrja dhe çmimoren e biletave të autobusëve”, tha Bekim Memeti, kryetar i këshillit komunal në Tetovë.

Tetova në fillim të do të ketë tre linja që do e mbulojnë qytetin, si dhe tre lloje të biletave, njëpërdorimshe 20 denar, mujore deri në 450 denar dhe ajo vjetore e cila do të kushtojë 9 mijë denarë. Për realizimin e transportit në këto linja komunës do ti duhet të ndërtojë edhe disa pika pritjeje.

Ndërmarrja e Transportit publik ende nuk ka zyrat e veta, njëjtë sikurse autobusët që nuk kanë vendin se ku do të parkohen, për çka, fillimisht do përdoret hapësira tek zjarrfikësit e Tetovës. Mbetet e pa qartë ende nëse kjo ndërmarrje, do të themelojë pikë për servisimin e autobusëve në rast defekti, apo do të shfrytëzohet ndonjë pikë private.

Pas lëshimit në përdorim të autobusëve, do të bëhet edhe reduktimi i fugonëve që në të zezë bëjnë transportin ndër-komunal, e të cilët, sipas kreut të këshillit, planifikohet të licencohen si dhe të futën në orar bashkë me atë të transportit publik.