Në kohën kur po kërkohet largimi i lojërave të fatit nga objektet shkollore dhe institucionet e tjera publike, në Tetovë në afërsi të çerdhes “Rinia” hapet kazino. Prindërit shprehen të revoltuar se askush nuk merr parasysh ankesat e tyre, shkruan Alsat.
“Nuk shikojnë të bëjnë diçka të mirë për nxënësit tua plotësojnë kushtet, ja çka bëjnë, ndërkohë shihe si është, as ta rregullojnë as të vendosin lojëra për fëmijët ata në harram financojnë. Kanë lënë njerëzit pa bukë”.
“Kjo nuk është normale po çka të bëjmë, s’kemi kujt ti ankohemi, ankohemi gjithnjë sërish e njëjta gjë. Kjo shoqata bën diçka po kot në vesh të shurdhër mbetet. Për çdo gjë s`ke ku të ankohesh. Shko ku të duash qoftë në polici qoftë në komunë s’ka gjë kot”.
Drejtori i çerdhes thotë se kazinoja ndodhet gati në oborrin e çerdhes ku fëmijët për çdo ditë zhvillojnë aktivitete dhe çdo ditë përballen me këto pamje.
“Ne si institucion jemi kundër hapjes së kësaj kazinoje. I jemi drejtuar me shkrim edhe ministrisë përkatëse e kemi informuar për këtë gjë, por nuk ka asgjë kthyese nga Ministria e Punës dhe Politikës dhe Sociale. Ka reagime nga ana e prindërve që janë kundër hapjes së kësaj kazinoje. Ne deshëm të mbajnë edhe protestë por nuk na u lejua në ditë pune afër çerdhes, presim që në ditë të fundjavës ta zhvillojmë”, tha Burhan Iseni, drejtor i Çerdhes “Rinia” Tetovë.
Nga Lëvizja Anti bixhoz paralajmërojnë protesta masive kundër këtij fenomeni, por edhe kundër Ligjit për kazinotë i cili përveç shkollave fillore dhe të mesme nuk parasheh largime nga institucionet apo objektet e tjera publike.
“Kjo që po ndodh në Maqedoninë e Veriut, sidomos në Tetovë, është skandaloze. Kjo është e papranueshme për të gjithë, sepse të gjithë janë të interesuar për largimin dhe mbylljen e komarhaneve në vendin tonë. Kjo tash që po ndodh s’do shumë fjalë, fëmija i sapo lindur përballet direkt me lojërat e fatit kazinotë, kjo është pa precedencë”, deklaroi Jushi Emërllahu. Anti bixhoz.
Sipas informatave të televizionit Alsat, protesta e prindërve dhe lëvizjes Anti bixhoz, pritet të mbahet këtë fundjave, përpara oborrit të çerdhes “Rinia” në Tetovë./Alsat.mk