“Shumica e kontejnerëve për mbeturina në qytetin e Tetovës janë të vendosur në këtë formë, ose në trotuare, ose në rrugë, duke detyruar shpesh kalimtarët që të dalin në rrugë të ecin. Përveç pengesës në rrugë e trotuare, kalimtarët ankohen se kundërmojnë erë të keqe nga mospastrimi i tyre në kohë”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani.
“Pengojnë si jo. Kur kaloj këndej për rruge, ke kontejnerë në mes të rrugë, pas të vjen makinë. S’kalon dot se do bllokosh rrugën. E për kundërmimin, as që duhet të bisedojmë”, thotë një banor.
“Ne jemi bashkësi e madhe lokale, kështu që këto kontejnerë shyqyr që janë aty, megjithëse mbajnë erë të keqe sidomos gjatë verës. Duhet të hiqen, ka vend të shkojnë pak më tutje që të lirohet trotuari”, shprehet një banor tjetër.
Nga Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” thonë për Alsat se, pas ankesës së qytetarëve, do të bëjnë kërkesë në sektorin e urbanizmit në Tetovë, për përpilimin e planit për lokacionet e reja të kontejnerëve në shumicën e rrugëve ku bllokojnë jo vetëm trotuaret, por edhe makinat që lëvizin në rrugë.
“Ne do bëjmë kërkesë në kuadër të sektorit për Urbanizëm që të bëjë ndryshimin e vendit të tyre, por zakonisht, do përmend se kemi situatë të tilla në lokacione rreth ndërtesave ku ka objekte kolektive me pjesën e poshtme afariste. Në bazë të kërkesave të banorëve, pra nëse bëhet kërkesa, atëherë ne do e dërgojmë deri në sektorin e urbanizmit dhe ata na japin pëlqimin ose e bëjnë vet pra dislokimin”, u shpreh Lulzim Shaqiri – Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova”.
Në gjendje më të vështirë është rruga industriale, në të cilën, kontejnerët shpesh dalin në rrugë, dhe jo rrallë shkaktojnë edhe aksidente./ Alsat.mk