Për shkak të gjendjes të rëndë në të cilën ndodhet kulmi i shkollës “Liria” në Tetovë, me vendim të drejtorisë është ndërprerë mësimi për nxënësit nga klasa e pestë deri në të nëntën që mësojnë në katin e dytë të objektit. Nga dita e enjte ata do të mësojnë me orar të shkurtuar, ndërsa javën që vjen pritet të dislokohen në një objekt tjetër më të sigurt. 

“Sot reshjet e shiut kanë bërë mjaft dëme materiale, por fatmirësisht nuk kemi dëme në njerëz. Janë të rrezikuar nxënësit në katin e dytë të shkollës dhe të punësuarit. Për këtë arsye unë që në mëngjes kam shprehur shqetësimin tim dhe kam kërkuar Ministrinë e arsimit dhe shkencës dhe kërkova ndihmë prej tyre të vinë të njihen nga afër dhe të intervenohet diçka, mirëpo më thanë që për momentin nuk mund të intervenohet asgjë pasi jemi në fushatë parazgjedhore”, u shpreh Shpresa Iseini, drejtoreshë e Sh.F. Liria.

Arsimtaret e shkollës “Liria” druajnë se për shkak të vjetërsisë kulmi i objektit në cdo moment mund të shembet. Sipas tyre puna në këto kushte është shumë e rrezikshme.

“Këtu në këtë shkollë punoj 43 vite, këtë rrezik si dy vitet e fundit nuk e kemi pasur asnjëherë. Jo vetëm neve që na rrezikohet jeta por iu rrezikohet jeta edhe fëmijëve. Mund ta paramendoni numrin e madh të nxënësve, flas vetëm për klasën time 33 nxënës”, deklaroi Suzana Vejseli arsimtare.

Drejtuesi i Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës Ahmed Qazimi, për këtë gjendje fajëson Ministrinë e Arsimit.

“Në dy vitet e kaluara, nga përgjigjet që kemi marrë nga Ministria nuk ishte e mundur që të bëhet investim, por vetëm janë përgjigjur se intervenimi në objektin shkollorë është paraparë për në periudhën që vijon”, tha Ahmed Qazimi, sektori për Arsim i komunës së Tetovës.

Televizioni Alsat muaj më parë ka alarmuar për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet kulmi i shkollës fillore “Liria” në Tetovë dhe rrezikun me të cilin përballen mbi 1000 nxënës. Megjithatë, ministria e Arsimit nuk ka ndërmarrë asgjë për të ndihmuar këtë shkollë, nxënësit e së cilës shënojnë me vite rezultatet më të mira në rajonin e Tetovës, transmeton Alsat-M.