Shoqata për autizëm në Tetovë, “URA BLU”, e cila është hapur para pak muajve, ku si qëllim kryesor e ka psikoedukimin e fëmijëve me autizëm, e ka filluar punën me një risi, gjegjësisht Dhomën sensorike, gjë për të cilën fëmijëve me autizëm në Tetovë u ka munguar, njofton Fol.

Dhoma sensorike, shërben për stimulimin e fëmijëve që t’i angazhojnë dhe zhvillojnë shqisat e tyre.

Sipas kryetares së shoqatës “URA BLU”, Siëndrra Mehmeti, qëllimi kryesor që nga themelimi i shoqatës ka qenë krijimi i një dhome sensorike, që t’u ndihmojë fëmijëve me autizëm në procesimin apo integrimin e tyre më të mirë shqisor dhe i relakson ata.

”Kjo do e përmirësonte marrëdhënien mes terapistit dhe fëmijës. Fëmija fiton një hapësirë jo-kufizuese dhe jo-kërcënuese ku mund të eksplorojë në kohën e tij të lirë. Kjo liri do na mundësojë ta shohim çfarë e qetëson fëmijën, çfarë e gjallëron, çfarë i pëlqen dhe çfarë nuk i pëlqen fëmijës. Kështuqë, pas pakë muajve në shoqatë na u mundësua ta krijojmë një dhomë të tillë për nxënësit tanë”, thekson Mehmeti për portalin ‘Fol’.

Sipas Mehmetit, dhoma sensorike ofron shumë benefite, disa nga të cilat përfshihen si:

– Stimulim sensorial, duke e inkurajuar fëmijën të angazhohet dhe të eksplorojë mjedisin, atëherë kjo mund të ketë efekte pozitive në aftësinë e tyre për të reaguar dhe bashkëvepruar edhe në botën përreth tyre.

– Përforcon të mësuarit dhe lojën. Stimulimi sensorial mund të angazhojë zona të ndryshme në tru, duke u ndihmuar fëmijëve të thithin e të ruajnë më shumë informata dhe të plotësojnë më mirë nevojat e tyre.

– Përmirëson balansimin, lëvizjen, orientimin hapësinor. Dhoma sensorike mund t’i ndihmojë fëmijës ta zhvillojë procesimin visual, shkathtësitë e motorikës fine dhe motorikës grose, përmirësim i jetës së tyre të përditshme.

– Trajtimi i problemeve në sjellje. Ambientet senzoriale mund të jenë mjaft përthithëse, duke siguruar çaste ngushëllimi dhe qetësie për fëmijët shumë aktiv dhe të shqetësuar, ndërsa atyre që janë të plogësht u ndihmon në angazhim më të mirë. Kjo përmirëson fokusimin dhe parandalon fëmijët nga sjelljet sfiduese.

“URA BLU” u bën thirrje që të gjithë prindërve me fëmijët autik, të vizitojnë shoqatën, me qëllim për avancimin dhe trajtimin më të përshtatshëm për fëmijët e tyre. /Fol/

Përgatiti: Emir Hamzai