Ka dështuar tentativa për arritjen e marrëveshjes mes komunës së Tetovës dhe asaj të Gostivarit për hedhjen e mbeturinave në pikën e grumbullimit Rusino në Gostivar. Në këtë mënyrë komuna e Tetovës do vazhdoj të përballet me problemin e mbeturinave në deponinë në hyrje të qytetit.

“Ne nuk arritëm të gjejmë ndonjë zgjidhje por po punojmë për të gjetur ndonjë zgjidhje, sepse edhe zoti Bejta shprehu shqetësimet e tij dhe të banorëve të cilët e kundërshtojnë bartjen e mbeturinave. Ka nisur një herë zgjidhja e këtij problemi por ka ngecur dhe nuk i di arsyet se përse kjo ka ndodhur”, deklaroi Hisen Xhemaili, kryetar i këshillit komunal.

Nga ana tjetër, kreu i komunës së Gostivarit Nevzat Bejta, thotë se problemi nuk qëndron tek ai dhe porositi kolegët e tij që të gjejnë vend në komunat e tyre për të grumbulluar mbeturinat.

“Ne kemi bërë takim por nuk është zgjidhur problemi. Secila komunë ka territorin e vet, banorët nuk lejojnë sepse nuk ka kushte më. Deponia regjionale që është hapur para dhjetë viteve në territorin e komunës nuk ka kushte sepse është mbushur më prandaj edhe protestojnë qytetarët. Duhet këtu Ministria e ekologjisë, Qeveria dhe regjioni me kryetaren e saj ta zgjidhin problemin”, tha Nevzat Bejta, kryetar i komunës së Gostivarit.

Dy muaj më parë kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi kishte paralajmëruar zgjidhje të shpejtë të këtij problemi.

“Meqë njëra prej kërkesave është edhe sanimi i rrugës deri atje, dhe asfaltimi i saj, morrëm obligim që edhe kjo të jetë në procedurë të plotë dhe urgjente”, pati deklaruar kryetarja e regjionit planor të Pollogut, Teuta Arifi më 11 qershor.

Prej dy ditësh kamionët me mbeturina të Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetova”, kanë qëndruar të bllokuar në pikën e pagesës në hyrje të Gostivarit, prej ku janë larguar sot por pa njoftuar se ku kanë përfunduar mbeturinat./alsat-m