Ministri i Financave Dragan Tevdovski konsideron se ekonomia e Maqedonisë po ecë në drejtim të mirë dhe pret kthesë serioze për lëvizjen e ekonomisë këtë vit.
Ai në intervistën për Zërin e Amerikës tha se që në fillim të vitit ka indikacione se ekonomia po shkon në drejtimin e duhur.
“Në janar dhe shkurt të këtij viti, krahasuar me një vit më parë, prodhimi industrial u rrit për 5.6 për qind. Ekziston një rritje e fortë e eksporteve prej rreth 24 për qind.
Aktiviteti i kredisë në muajt e parë është gjithashtu aktiv dhe i lartë, përfshirë edhe kompanitë që është pozitive, sepse në periudhën e kaluar ato ishin kryesisht në familje. Edhe pagat në Maqedoni filluan të rriten me 5.6 përqind në vit, gjë që rriti pagën mesatare për 1.250 denarë dhe për herë të parë kemi një pagë mesatare mbi 24.000 denarë. Këto janë sinjalet e para që ekonomia shkon në drejtim të mirë”, ka deklaruar Tevdovski.
Ai thotë se nevojiten më shumë reforma në mënyrë që ekonomia të lëvizë përpara dhe vë në dukje se një numër i aktiviteteve janë duke u ndërmarrë për një transparencë më të madhe.
Në 12 muajt e ardhshëm, Ministri Tevdovski pret të përfundojë vala e parë serioze e reformave, më shumë investime si rezultat i përparimit në integrimin euroatlantik, si dhe lëvizja e situatës ekonomike.