Hashim Thaçi thotë se Bashkimi Europian po vonohet me integrimin e Ballkanit ndaj edhe po krijohet vakum që mund të shfrytëzohet për destabilizim të rajonit. Presidenti i Kosovës kërkon që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të marrin rol udhëheqës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Këto gjykime të tij, Presidenti i Kosovës ia ka bërë të ditur edhe senatorit, Bob Corker, i cili është Kryesues i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin amerikan, në një takim të zhvilluar në kuadër të vizitës disa ditore të Thaçit në SHBA.
“Biseduam për nevojën që SHBA-ja të ketë rol udhëheqës në rajonin tonë, sepse vonesat e Bashkimit Europian po krijojnë vakum të cilin po e shfrytëzojnë aktorë të tjerë”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.
“Senatori Corker rikonfirmoi përkrahjen e SHBA-së për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe për anëtarësimin në Partneritetin për Paqe të NATO-s, por u shpreh edhe mirënjohës për rolin që Kosova po luan në luftën kundër terrorizmit”.