Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kujtuar 10 vjetorin e shpalljes së vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare.

Thaçi përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se ne asnjëherë nuk kishim dyshime për të drejtën tonë historike, që të jetojmë të lirë në vendin tonë të pavarur dhe sovran.

“I kemi besuar dhe vazhdojmë t’i besojmë drejtësisë ndërkombëtare, sepse gjithmonë ishim dhe vazhdojmë të jemi në të drejtën tonë”, ka shkruar Thaçi.

Postimi i plotë:

Sot u bënë 10 vjet kur u vulos përfundimisht subjektiviteti ndërkombëtar i shtetit të ri të Kosovës. Ne asnjëherë nuk kishim dyshime për të drejtën tonë historike, që të jetojmë të lirë në vendin tonë të pavarur dhe sovran. Serbia pas humbjes së luftës në Kosovë, duke mos u pajtuar me këtë fakt, kishte vendosur ta dërgonte rastin e shpalljes së pavarësisë së shtetit tonë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ne, populli ynë, gjithmonë i kemi besuar drejtësisë ndërkombëtare, përkundër faktit që ende nuk kemi drejtësi për gjenocidin e shtetit të Serbisë të kryer mbi popullatën civile shqiptare në Kosovë. I kemi besuar dhe vazhdojmë t’i besojmë drejtësisë ndërkombëtare, sepse gjithmonë ishim dhe vazhdojmë të jemi në të drejtën tonë!