Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kundërshtuar vendimin e qeverisë në detyrë të Kosovës për të zgjeruar masat e reciprocitetit me Serbinë.

“Me vendimin për kinse reciprocitet, ai vazhdoi duke bërë hapa në kundërshtim me kërkesat dhe pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të BE-së, duke rrezikuar tërë atë që kemi arritur dhe ndërtuar për më shumë se dy dekada. Kosova ka fituar lirinë dhe shtetësinë me përkrahjen e SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe vetëm me këtë përkrahje e partneritet ka të ardhme të sigurt. Çdo cenim i këtyre raporteve është rrezikim i shtetit dhe rrezikim i së ardhmes së Kosovës.”, ka shkruar presidenti Thaçi në rrjetin social Facebook.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës në detyrë për të zgjeruar masat e reciprocitetit me Serbinë, ka nxitur reagime edhe të Bashkimit Evropian.

Qeveria Kurti e ka hequr tarifën ndaj mallrave serbe, por atë e ka zëvëndësuar me masat e reciprocitetit. Serbia ka thënë se nuk do të ketë vazhdim të dialogut para se të shfuqizohen të gjitha barrierat që pengojnë qarkullimin e lirë të njerezve dhe të mallrave.

Dialogu Kosovë-Serbi, i cili ka nisur qysh në vitin 2011, me ndërmjetësimin e BE-së, është ndërprerë në fund të vitit 2018, për shkak të tarifës 100 për qind ndaj importeve nga Ser bia, e cila është vënë nga Qeveria e atëhershme e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se tarifa është instrument politik që është vendosur si përgjigje ndaj fushatës së Serbisë kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vende të ndryshme të botës dhe kundër pranimit të Kosovës në organizatave të ndryshme ndërkombëtare.

Haradinaj ka thënë shumë herë se me vendodisjen e tarifës e ka penguar vazhdimin e dialogut midis Kosovës e Serbisë ku do të diskutohej edhe për ndryshimin e kufijve midis Kosovës e Serbisë. Ai e ka quajtur idenë për nfryshim kufijsh si project të Serbisë për ndarjen e Kosovës.

Këtë ide e ka promovuar edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, por ai e ka quajtur atë si “bashkim“ të Luginës së Preshevës me Kosovën. (r.m.)