PDSH-ja në kuadër të fushatës parazgjedhore ka qëndruar para banorëve të Zhelinës, ku para të pranishmëve u drejtua edhe Menduh Thaçi, i cili tha se represioni shtetëror që u bëhet shqiptarëve në Maqedoni, ndalet vetëm me ligjet e amnestisë.

Thaçi shtoi më tej se shteti u ka borxh shqiptarëve mbi 1.6 miliard dollarë. Thaçi duke e akuzuar BDI-në si parti e cila nuk ka njohuri për proceset ekonomike dhe sociale në shtet, tha se nëse edhe kësaj radhe fiton BDI-ja, SHBA-ja dhe BE-ja mund t’i vendosin bllokadë ekonomike Maqedonisë.

“Qëllimi i PDSH-së është që prej sot, katër vitet e ardhshme, ky të quhet programi dhe platforma kombëtare e shqiptarëve të Maqedonisë.

Ne bashkarisht këtë e kemi arritur.

Hapi tjetër është, duhet t’i bindim një pjesë të vëllezërve tonë që janë shqiptarë se kjo nuk është çështje inati, ne të gjithë jemi si një familje, gjithë kombi shqiptar që jeton këtu është si një familje, të gjithë pak a shumë i kemi hallet e njëjta, dhe ky program kombëtar i shqiptarëve të Maqedonisë në rend të parë don ta ndalë represionin shtetëror ndaj shqiptarëve.

Represioni shtetërorë ndalet me ligjet e amnistisë. Një për veprat penale që shqiptarët janë nëpër burgje kot, dhe e dyta shumica e shqiptarëve që janë nëpër burgje janë të dënuar në mënyrë drakonike.

Ligji i dytë i amnistisë është falje e të gjitha borxheve që shqiptarët i kanë shtetit”, deklaroi Thaçi