Presidenti kosovar Hashim Thaçi dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, kanë riaktulizuar mundësinë për ndryshimin e kufijve dhe bashkimin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën. Këtë ide ata e kanë biseduar sërish sot në Tiranë.

Thaçi pas takimit ka thënë se qëllimi është që të përmirësohet padrejtësia historike që u është bë shqiptarëve të Luginës.
“Sapo zhvillova një takim me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ku mes tjerash biseduam për domosdoshmërinë e hapjes së plotë të kufirit Kosovë-Shqipëri dhe krijimin e një hapësire shqiptare pa kufi, nën ombrellën euroatlantike. Në këtë takim ngritëm nevojën e korrigjimit të padrejtësive historike, duke bashkuar faktorin shqiptar rreth sensibilizimit të së drejtës të bashkëngjitjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar pas takimit presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.