Kryetari i partisë opozitare PDSH, Menduh Thaçi, nuk beson se deri më 5 qershor qeveria teknike në Maqedoni mund t’i përmbushë kushtet për zgjedhje demokratike.

“U shpreha shumë skeptik se partitë politike që janë në qeveri të përmbushin kushtet që më datën 5 qershor të kemi zgjedhje. Fatkeqësisht, kolegët e mi që janë në qeverisje si duket nuk i marrin mesazhet drejtë. Një pjesë e tyre janë të lumtur që dëgjojnë diplomatët perëndimorë të thonë se nuk do të ketë vlerësim para zgjedhjeve, por do të ketë pas zgjedhjeve dhe kjo është më e rëndë dhe nuk ka mundësi për provim pranues”, u shpreh Thaçi.

Kreu i PDSH-së opozitare tha se në kuadër të bisedimeve për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni nuk po diskutohen çështjet e pazgjidhura të shqiptarëve dhe avancimi i të drejtave të tyre.

“Shqiptarët dhe maqedonasit duhet të kenë një marrëveshje të fuqishme politike. Nuk do të zgjidhen këto mosmarrëveshje me truqe romantike dhe folklorike. Shqiptarët kanë filluar të shqetësohen që në kuadër të këtij dialogu dhe negociata, mungon përmendja e të drejtave të tyre, mungon përmendja e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit”, shtoi Thaçi.

Këto shqetësime të tij, Thaçi ia ka shpalosur gjatë një takimi drejtoreshës për Evropën Perëndimore, Ballkanin dhe Turqinë pranë Shërbimit Evropian për Politikë të Jashtme, Angelina Erchhorst.

https://youtu.be/0BF17i26Lq0