Ministria e jashtme ruse hodhi poshtë akuzat e ngritura nga e përditshmja britanike “The Guardian”, se Moska përpiqet prej një dekade të destabilizojë Ballkanin. The Guardian publikoi të dielën, pjesë të dokumenteve të shërbimeve ruse të inteligjencës, ku thuhej se prej vitesh Moska është përpjekur të shaktojë destabilitet veçanërisht në vendet e ish-Jugosllavisë, që dikur i ka pasur nën influencës e saj, për të mos lejuar që ato të afrohen me perëndimin dhe të jenë pjesë e strukturave Euro-Atlantike.
Një ndër objektivat kryesorë të Moskës ka qenë Maqedonia. Në transkriptet e dosjeve të siguruara nga The Guardian, rezulton se agjentët rusë kanë bashkëpunuar në veçanti me shërbimet sekrete serbe për të nxitur konflikte etnike e politike në Maqedoni, që të vonohet antarësimi i këtij vendi në NATO. Gjurmët e ndërhyrjes ruse dalin në pah që prej vitit 2008, kur Greqia bllokoi përpjekjet e Shkupit për tu antarësuar në NATO. Në atë kohë, Athina i nxorri Maqedonisë problemin e emrit. Në dokumente thuhet se Kremlini synon ta kthejë Maqedoninë nën influencën e saj dhe të kontrollojë burimet strategjike të energjisë përmes partneritetit me shtetet e Ballkanit.
Në dokumente rezulton se agjentë të shërbimeve inteligjente ruse janë atashuar pranë përfaqësive diplomatike të Moskës në Shkup dhe vende të tjera të Ballkanit. Ata bashkëveprojnë me diplomatët rusë në rajon. Të dhënat sekrete ranë fillimisht në duart e Organizatës Botërore për Raportimin e Korrupsionit, që më pas ia dha të përditshmes britanike “The Guardian”.