Maqedonia me 37 pika është pozicionuar në vendin e 90-të në listën e 176 vendeve të botës, sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit për vitin 2016, që e ka publikuar sot Transparnsi Interneshënël.
Maqedonia këtë vit ka rënie prej pesë pikave në krahasim me vitin 2015. Rezultati i bazuar në shtatë hulumtime të tjera të reja tregon në atë se korrupsioni është shikuar si problem serioz për zhvillim të ekonomisë, për sundim të drejtësisë, për investime të huaja dhe për demokraci stabile”, thotë kryetarja e TI Maqedoni, Sllagjana Taseva.
Nga vendet e rajonit Sllovenia me 61 pikë është në vendin e 31, Kroacia është në vendin e 55 me 49 pika, Mali i Zi me 45 pika është në vendin e 64, Greqia në vendin e 69, me 44 pika, Serbia në vendin e 72 me 42 pika, Bullgaria dhe Turqia në vendin 75, me 41 pika, Shqipëria dhe Bosnjë e Hercegovina në vendin e 83 me 39 pika, ndërsa Kosova në vendi 95-të me 36 pikë.
Më pak korrupsion sipas Transparensi Interneshënël ka në Danimarkë dhe në Zelandën e Re me nga 90 pika, Finlanda me 89, Suedia 88 Zvicra 86, dhe Norvegjia me 85 pikë, ndërsa më shumë në Somali me 10 dhe Sudani Jugor me 11 pikë, Koreja e Veriut me 12 dhe Siria me 13 pikë.
Sipas raportit të Transparensi Interneshënël asnjë vend në botë nuk është afër rezultatit ideal të Indeksit të korrupsionit për vitin 2016 dhe pothuajse dy të tretat nga gjithsej 176 vende dhe territore në indeksin e sivjetshëm janë në gjysmën e dytë. Rezultati global arrin 43 pika, ndërsa i rajonit të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore 34 pika.
Rajoni i Evropës dhe Azisë Qendrore, ku ndodhet edhe shteti ynë, shënon stagnim dhe nuk ka ndryshime të mëdha të indeksit të sivjetshëm të korrupsionit, por, siç theksohet në raport, stagnimi nuk do të thotë se lufta kundër korrupsionit është e përmirësuar, por përkundrazi është përkeqësuar.
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në raportin e Transparensi Interneshënël, theksohen dobësitë në zbatimin e ligjit dhe marrje peng të sistemeve politike, në të cilat politikanët kanë ndikim të madh në të gjitha sferat e jetës publike, ndërsa gëzojnë lidhje të afërta me biznesmenë të pasur dhe me grupe të organizuara kriminele.(MIA)