PROTESTO, MOS HESHT!
ARSYEJA E NJËMBËDHJETË:

T’I THEMI JO DIKTATURËS – SUNDIMIT PËRMES DHUNËS DHE TERRORIT!

Abdulla Mehmeti

Arsyeja e njëmbëdhjetë pse duhet të protestojmë në ditën e zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni, më 11 dhjetor 2016, është: T’I THEMI JO DIKTATURËS – SUNDIMIT PËRMES DHUNËS DHE TERRORIT!

Fushata jonë për organizimin e protestave në ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni, më 11 dhjetor 2016, ka për qëllim që energjia jonë të përqendrohet në realizimin e interesave madhore e reale, qytetare dhe kombëtare, jo për interesa parciale, me harxhimin e kotë të forcës fizike, mendore dhe materiale për interesa partiake e klanore dhe për qëllime kriminale e mafioze, me këtë edhe për shtrëngimin e litarit të robërisë në qafën tonë!

Ne nuk duam t’i pengojmë qytetarët të dalin në zgjedhje, por të interesuarit për pjesëmarrje në këto zgjedhje nuk janë më tepër se 40% e qytetarëve shqiptarë me të drejtë vote, sa kanë qenë realisht në të gjitha ciklet zgjedhore të mëparshme.

Secili ka të drejtë të votojë sipas bindjes së tij, por mbi 60 % e qytetarëve që nuk dalin në votime përbëjnë shumicën. Ky është vullneti politik i shumicës së qytetarëve shqiptarë në Maqedoni, të cilët nuk janë pajtuar kurrë me sundimin e padrejtë, jodemokratik dhe diktatorial. Shteti ku jetojmë ne është sunduar deri më sot nga diktatura, nga mafia dhe një grusht oligarkësh, nuk është qeverisur në formë demokratike.

Pushteti që nuk e fiton besimin e shumicës, nuk është demokratik, por diktatorial.

Pushteti i derisotëm jodemokratik dhe diktatorial, në Maqedoni përherë është instaluar përmes zgjedhjeve të falsifikuara dhe ka sunduar përmes dhunës e terrorit. Këtë do të tentojnë ta bëjnë edhe kësaj radhe.

Që edhe përmes këtyre zgjedhjeve të mos vazhdojë ky sundim, duhet ta parandalojmë me kohë, duke ia bërë me dije pushtetit dhe faktorit ndërkombëtar se, durimit i ka ardhur fundi.

DUAM ZGJIDHJE, JO ZGJEDHJE!

(27.XI.2016)