Maqedonia është në rrugë të drejtë për të qenë shembull i suksesshëm për rajonin, ndërsa SHBA-ja do të vazhdojë të ketë rol pozitiv për stabilitetin dhe progresin e rajonit dhe të kërkojë mënyra t’i ndihmojnë, e porositi në takimin e djeshëm në Uashington sekretari amerikan i shtetit, Reks Tilerson shefin e diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, përcjell Fol.

Tilerson e mbështeti agjendën reformuese në Maqedoni, duke i bërë thirrje Qeverisë të vazhdojë me zbatimin e saj.

Takimi i fundit i shefit të diplomacisë së Maqedonisë me sekretarin amerikan të shtetit u mbajt në vitin 2008, kur ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme, Antonio Milloshoski u takua me ish-sekretaren amerikane të shtetit, Kondoliza Rajs.

Dimitrov u përqendrua edhe në gjendjet aktuale politike në Maqedoni dhe rajon, ndërsa gjithashtu e njoftoi Tilersonin edhe me aktualitetet në procesin e tejkalimit të dallimeve rreth emrit me Greqinë.

“Maqedonia është mike dhe partnere e SHBA-së, jemi të bindur se me ndihmën tuaj, lidershipin dhe mbështetjen e aleatëve evropianë, shpejt do të jemi pjesë e familjes së NATO-s. Përkushtimi dhe vendosmëria jonë është e madhe dhe kemi për qëllim që ta shfrytëzojmë këtë mundësi që na jepet”, tha Dimitrov.

Duke informuar për reformat në Maqedoni, Dimitrov theksoi se vendi dëshiron të ndërtojë institucione të fuqishme dhe demokratike, ta përforcojë qeverisjen e së drejtës dhe ta bëjë Maqedoninë anëtare të dëshiruar fuqiplote në bashkësinë euroatlantike”.

Duke folur për kontributin e Maqedonisë në ruajtjen e sigurisë ndërkombëtare dhe luftën kundër terrorizmit, Dimitrov e riafirmoi përcaktimin e fuqishëm të Qeverisë gradualisht ta rrisë buxhetin në sferën e Mbrojtjes, në pajtim me kërkesat e Aleancës.

Në kontekst të marrëdhënieve me fqinjët dhe gjendjet në rajon Dimitrov nënvizoi se “moszgjidhja e problemeve tërheq përgjegjësi politike”.

Ministri i Punëve të Jashtme mori pjesë edhe në konferencën e Këshillit Atlantik të SHBA-së, të titulluar si “Stuhia e radhës? Formimi i së ardhmes ballkanike në epokën e pasigurisë”, ku u thirr të drejtohet para publikut të shumtë të përbërë prej ekspertëve dhe përfaqësuesve të korit diplomatik në Uashington.

Димитров Хојт Ји панел

Në panelin me temë “Rreziku i madh, shpërblim i madh: Ballafaqimi me sfidat politike afatgjata në Ballkan” në të cilin morën pjesë edhe Hojt Brajan Ji, Enver Hoxha dhe Astrit Istrefi, ndërsa e moderoi Janush Bugajski, Dimitrov foli për gjendjet aktuale në Republikën e Maqedonisë, me theks të veçantë në tejkalimin e dallimeve rreth emrit me Greqinë.

Shefi i diplomacisë së Maqedonisë realizoi takim edhe me ekspertët për rajonin Daniel Server, Eduard Xhozef dhe Majk Halcel, si dhe me Dejmon Uillson prej Këshillit Atlantik të SHBA-së, me të cilët këmbyen mendime për aktualitetet dhe perspektivat në rajon.

Димитров Вашингтон средби

Gjatë ditës së fundit të vizitës së punës në Uashington janë paraparë takime me këshilltarin për siguri kombëtare të presidentit Tramp, H.R. MekMaster, përfaqësues të Kongresit të SHBA-së si dhe me ish-sekretaren e shtetit të SHBA-së, Medllin Ollbrajt.