Kanë vazhduar reagimet e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare pas vendimit të Ivanovit për mos dhënien e mandatit, me arsyetimin se platforma është përgatitur në një vend fqinj duke aluduar në Shqipërinë. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në një status në rrjetin social facebook shkruan se Ivanov ka qasje anti-shqiptare dhe se shqiptarët tashmë duhet të marrin fatin e të drejtave në duart e veta.

Shqiptarët në Maqedoni janë popull shtetformues dhe Maqedonia duhet të jetë shtet i të gjithë qytetarëve të saj. Pa të drejta të barabarta të shqiptarëve në Maqedoni, humb kuptimi i funksionimit të shtetit të Maqedonisë. Në fund, shqiptarët duhet të marrin fatin e të drejtave të tyre në duart e veta – deklaroi Hashim Thaçi, President i Kosovës.

Kryeministri shqiptar Edi Rama me anë të një mesazhi në Tuitër ka reaguar për situatën politike në Maqedoni dhe deklaratat e presidentit te vendit.

Zoti Ivanov, gjuha shqipe s’është e armikut po e një populli shtetformues në Maqedoni. Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni – ka shkruar Rama.

Shefi i diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati ka shkruar se faktori shqiptar në Maqedoni luan rol konstruktiv në proceset demokratike dhe do të forcojë shtetin maqedonas.

 Ata që mendojnë se Maqedonia mund të qeveriset pa shqiptarët, kanë frikë nga barazia sociale, shteti i së drejtës dhe nga vlerat e parimet evropiane – është shprehur Bushati

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta, në deklaratën e tij, shpreh shqetësimin për situatën politike në Maqedoni si dhe inkurajon forcat politike për qetësi, përgjegjshmëri dhe konstruktivitet. Meta shpreh keqardhjen për retorikat nacionaliste anti-shqiptare të cilat cenojnë harmoninë dhe bashkëjetesën ndër-etnike, si garanci për stabilitetin e vendit fqinj.

Kreu i PD-së së Shqipërisë Lulzim Basha qëndrimin e Ivanovit e konsideron si “një akt të diskriminimit etnik, që nuk kontribuon për harmoninë mes etnive shtetformuese në Maqedoni“. Stabiliteti dhe rruga e integrimit të Maqedonisë cenohet rëndë nga akte të tilla diskriminuese. Basha shpreh në reagimin e tij mbështetjen për platformën shqiptare dhe kërkon nga partitë politike shqiptare të veprojnë të bashkuara në mbështetje të të drejtave legjitime të popullsisë shqiptare në Maqedoni.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri ka thënë se Ivanov dhe Gruevski duan që në këtë mënyrë ta mbrojnë qeverisjen e tyre kriminale, ndërkaq ka shtuar se përfaqësuesit politik shqiptar nuk duhet t’ia mundësojnë Gruevskit themelimin e qeverisë.

Reagimet vijnë pas qëndrimit të presidentit të Maqedonisë Gjorge Ivanov i cili tha se shkas për mos dhënien e mandatit është platforma e partive politike e arritur sipas tij në “shtetin fqinj”, me të cilën sipas tij rrënohet karakteri unitar të shtetit të Maqedonisë./Alsat