Prokurorja Special Katica Janeva ka vendosur të mos i përjashtojë prokurorët Fatime Fetain dhe Gavril Bubevskin për rastin Titanik 3.Vendimi i saj me shkrim, i dërguar deri tek Gjykata Penale, pason pas kërkesës së sotme të Elenko Milanov, avokat i njërit prej të pandehurve, për të përjashtuar prokurorët për shkak të marrëdhënieve të acaruara ndërnjerëzore në PSP dhe për shkak të, siç pohon ai, konfliktit të interesit.

Ka konflikt interesash brenda, ka keqkuptime, ka rrethana që nuk dua t’i përmend deri në fund, të gjithë opinioni i din, që dolën edhe gjatë javës së kaluar, ku zonja Katica Janeva dhe të autorizuarit e saj gjegjësisht personat që e përfaqësojnë lëndën në gjykatë, vlerësoj se kanë konflikt interesash dhe nuk mund të jenë më tutje përfaqësues dhe duhet të përjashtohen – deklaroi Elenko Milanov, avokat i Ismet Gurit.

Krahas kërkesës për Fetain dhe Bubevskin, Milanov kërkoi përjashtimin edhe të Katica Janevës, propozim që Gjykata e hodhi poshtë, duke vlerësuar se ka keqpërdorur të drejtën e mbrojtjes dhe ka ngritur kërkesë të pabazë. Për kërkesën e avokatit, gjykatësja Marija Kletniçka paralajmëroi se do ta njoftojë Odën e avokatëve. Ky është rasti i dytë i PSP-së ku deri më tani të akuzuar apo mbrojtja e tyre kërkojnë përjashtim të PSP-së për shkak të rastit “Reket”. Javën e kaluar, ish kryetari i Gazi Babës, Toni Trajkovski kërkoi përjashtimin e Janevës nga rasti “TNT”, pasi dyshon se ajo ka tërhequr akuzën kundër pronarit të një kompanie të ndërtimit nga Struga, për çka sipas Trajkovskit, ka paguar 16 milionë denarë në “Lidhjen Ndërkombëtare” të Boki 13.