Rasti “Titanik 3” është rast i montuar, pohon Ismet Guri, i akuzuar për mashtrim zgjedhor në zgjedhjet lokale të vitit 2013 në Çair. Guri sot dha deklaratën e tij para trupit gjykues. Filloi të flasë me lot, duke shpjeguar se duhej të operonte telat e zërit, kështu që sot dëshiron të thotë gjithçka para operacionit eventual. Ai tha se nuk ka logjikë politike që të ndërhynte në procesverbalet e zgjedhjeve para gjashtë viteve, sepse BDI-ja në rrethin e parë kishte 11,000 vota më shumë se sa konkurrentët e saj.

Të akuzuarit u ndërruan, u bënë dëshmitarë. Ejup Alimi u  bë deputet e më pas i akuzuar. Do të thotë, është çështje politike dhe s’ka këtu kurrfarë vepër penale. U vërtetua rrethi i parë, u vërtetua rrethi i  dytë. Të akuzuarit u bënë dëshmitarë, dëshmitari vet pranoi se i ndërron, tani ai është dëshmitar e unë i akuzuar. Nuk më kujtohet që dikush në vitin 2013 na ka kërkuar për këtë, e as që kemi qenë në bisedë, dhe në vitin 2016 shpikën  se ka pasur njëfarë vepër penale- tha Ismet Guri- i akuzuar.

Gjykata paralajmëroi se do të bëjë tentim për të siguruar dëshmitaren Resmije Budlimova. Nëse nuk mund të vjen fizikisht në sallën e gjykatës meqë jeton në Gjermani, gjykata do të kërkojë të dëshmojë me video-lidhje. Ajo në prononcimin e parë para prokurorëve rrëfeu se Ejup Alimi dhe Ismet Guri e kanë pyetur nëse mund të ndihmojë që të bëjnë ndonjë “dallavere”. Budlimova në prononcimin e saj ka bërë të ditur se Alimi ka marrë disa procesverbale dhe më pas i ka kthyer që të vendosen në aspektin statistikor në kompjuter. Dëshmitari i përfshirë në mënyrë plotësuese i Prokurorisë ka kërkuar mbrojtje për të dhe familjen meqë druan nga hakmarrje nëse të akuzuarit kuptojnë se është rrëfyer para prokurorëve. Gjykimi vazhdon më 18 nëntor. /Alsat M/