Vendimin që e ka marrë shumica e KSHZ-së, sipas VMRO-DPMNE-së është skandaloze dhe nuk ka kurrfarë lidhje as me të drejtën as me drejtësinë.

Nikolla Todorov, anëtar i KZ të partisë, në konfrencën për shtyp pasdite tha se ky vendim i shumicës së KSHZ-së vetëm ndihmon që Zoran Zaev ta plotësojë planin e tij për inxhinieri paszgjedhore dhe për falsifikim të vullnetit të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.

Ai shtoi se shumica në KSHZ vendosi që të mos besojë në deklaratat e dhëna publikisht të të gjithë anëtarëve të Komisionit Zgjedhor, të cilët publikisht para gjithë opinionit të Maqedonisë kanë thënë se e kanë parë dhe kanë konstatuar se zonja Fatime Sulejmani paraprakisht e ka shfrytëzuar të drejtën e votës dhe nuk e kanë lejuar që të votojë për së dyti.

Ai u përqendrua edhe në një ankimim të parashtruar nga LSDM-ja për Vendvotimin 2011 në Tearcë, për të cilin KSHZ-ja duhet të vendosë, ndërsa për të cilin tha gjithashtu se është skandaloz.

Shtoi se ka më shumë se 20 vendvotime në Maqedoni, në të cilat ka votuar vetëm një votues dhe u përqendrua në vendvotimin 0640 në Demir Hisar në njësinë e pestë zgjedhore, ku ka votuar vetëm një qytetar, i cili ka votuar për LSDM-në dhe ky fakt është publikuar në faqen zyrtare të KSHZ-së.

Pyeti nëse kjo do të thotë se edhe këtu në vendvotimin 0640 në Demir Hisar është prishur fshehtësia e votimit. – Përgjigjja është jo. 

Todorov porositi se KSHZ-ja nuk guxon të jetë pjesëmarrëse në tentativën e Zaevit që të bëjë inxhinieri paszgjedhore në Republikës së Maqedonisë dhe ta falsifikojë vullnetin e qytetarëve.