Çështja e transportit të nxënësve në komunën e Tetovës nuk është zgjidhur ende, pavarësisht premtimit të autoriteteve lokale për kapërcimin e shpejtë të tij. Nxënësit transportin i cili duhet të jetë pa pagesë, e paguajnë nga xhepi, ndërsa është rritur edhe numri i nxënësve që bojkotojnë mësimin për shkak të këtij problemi.

“Është problem tejet i madh për ne nxënësit se çdo ditë duhet të paguajmë transport e kjo përveç që ndikon në aspektin tonë ekonomik ndodh në shumë raste të mungojmë edhe në shkollë. Po na ndikon se nuk mund çdo herë të arrijmë të jemi në orët mësimore”.

“Po çdo ditë paguajmë, thonë që do rregullohet po nuk është duke u rregulluar”.

“Po prej xhepave tonë paguajmë, 60 denar që vijmë këtu dhe që kthehemi në shtëpi”.

I tërë problemi ka lindur si pasojë e borxhit prej rreth 5 milion eurosh që ka komuna ndaj kompanive të transportit, mjete këto që ndonëse janë lëshuar nga Ministria e Arsimit, nuk kanë përfunduar tek kompanitë dhe dikush për këtë duhet të mbajë përgjegjësi, u shpreh Ministri i Arsimit Pishtar Lutfiu.

“Nga ana e Ministrisë shpërndahen gjitha bllok dotacionet që i nënshkruajmë si Ministri, pastaj komuna dhe ministria e financave i shpërndajnë ato. Ne si ministri i kryejmë detyrat e shtëpisë në rregull, tash iu mbetet menaxhimi që ta bëjnë komunat”, tha Pishtar Lutfiu, Ministër i Arsimit.

Komuna e Tetovës ndërkaq shmang përgjegjësinë. Nga sektori për arsim theksuan se kontesti juridik mes komunës dhe kompanive të transportit pritet të zgjidhet shumë shpejtë. 

“Kompanitë që kanë konkurruar në këtë furnizim publik janë ankuar deri në komisionin e shkallës së dytë për ankimimet të furnizimeve publike që në bazë të ligjit për furnizime publike nuk është e mundur që të lidhet kontratë deri në përfundim të procedurës së ankimimit. Besoj që këto ditë komisioni për ankimim do sjell vendimin do na njoftojë neve dhe kompanitë dhe do zgjidhet edhe ky kontest juridik”, u shpreh Ahmed Qazimi, drejtues i sektorit për arsim komuna e Tetovës.

Brenda pak ditësh Komisioni shtetëror për furnizime publike duhet të miratojë vendimin nëse do të rrëzojë tërësisht shpalljen publike të Komunës së Tetovës apo do sjell vendim për vazhdimin e kontratave me kompanitë e transportit, gjë që do e kishte zgjidhur këtë problem nga i cili më së shumti pësojnë nxënësit.