Në prag të dy Kuvendeve ku do të emërohen kandidatët e Partisë Demokrate dhe asaj Republikane për zgjedhjet presidenciale të nëntorit, tre anketa të reja të publikuara të dielën, tregojnë se demokratja Hillary Clinton ka një avantazh të ndjeshëm ndaj republikanit Donald Trump, edhe pse votuesit amerikanë nuk kanë ndonjë simpati të madhe për të dy kandidatët.

Ish sekretarja e Shtetit Clinton, e cila kërkon të bëhet presidentja e parë grua në Shtetet e Bashkuara, megjithatë kryeson garën me zotin Trump, miliarder i pasurive të patundshme.

Anketa e përbashkët e gazetës “Washington Post” dhe televizionit “ABC News” tregon se zonja Clinton ka një mbështetje prej 47 për qindësh, ndërsa zoti Trump 43 për qind, raporton VoA.

Anketa e përbashkët “NBC News” dhe “The Wall Street Journal” ishte 46 për qind për zonjën Clinton dhe 41 për qind për zotin Trump, ndërsa anketa e CNN-it dhe “ORC International” tregon se zonja Clinton ka 49 për qind mbështetje, ndërsa zoti Trump 42 për qind.