Këshilla më e mirë për mushkëri të shëndetshme është lënia e duhanit, por nëse nuk mund ta lini cigaren, atëherë duhet të hani ushqime të cilat e përmirësojnë shëndetin.

Rreziku nga sëmundjet e mushkërive, si dhe paraqitja e kancerit në mënyrë drastike zvogëlohet me lënien e duhanit, por nëse e anashkaloni këtë fakt dhe çdo ditë thithni nikotinë duhet të zgjidhni se çfarë të gjendet në pjatën tuaj.

Në të vërtetë, studimi më i ri ka treguar se ushqimet e caktuara mund të përmirësojnë shëndetin e mushkërive, prandaj duhet t’i hani më shpesh ato nëse jeni duhanpirës.

Në këtë studim kanë marrë pjesë 680 persona, nga të cilët disa ishin duhanpirës, disa ish-duhanpirës dhe joduhanpirës, ndërsa ata janë përgjigjur në pyetjet në lidhje me ushqimin e tyre.

Të gjithë ata i janë nënshtruar matjes në spirometri, metodës përmes së cilës matet se si funksionojnë mushkëritë, respektivisht volumi i mushkërive dhe shpejtësia e qarkullimit të oksigjenit përmes rrugëve të frymëmarrjes dhe nxjerrjes së frymës jashtë. Ky test është përsëritur edhe pas 10 vjetëve.

Rezultatet kanë treguar se duhanpirësit që kanë ngrënë shumë molla, banane dhe domate kanë pasur më së paku dëme në mushkëri gjatë asaj periudhe.

Shkencëtarët sqarojnë se arsyeja për këtë është se këto ushqime janë të pasura me antioksidues, të cilët ndihmojnë në zvogëlimin e inflamacioneve të organeve të frymëmarrjes, potencialisht përmirësojnë shëndetin e mushkërive dhe ndihmojnë gjatë përmirësimit të indeve të dëmtuara, që ka ndodhur si pasojë e pirjes shumëvjeçare të duhanit.