Përpos milionave që shpenzojnë për imazhin e tyre, praktikisht Spitali Amerikan nuk ofron mjekim të sigurtë dhe staf të specializuar. Boldnews.al publikon një tjetër rast të një pacienteje e cila ka bërë një ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e tiroideve por që në fakt i ka rezultuar fatale, pasi mjeku i Spitalit Amerikan i ka prerë kordën e zërit.

Bëhet fjalë për pacienten me inicialet E.R e cila ka kryer në vitin 2010 një ndërhyrje spitalin privat në zonën e Laprakës, për tiroidectomi bilateral totale.

“Operacionin e kam kryer në vitin 2010 tek Spitali Amerikan që ndodhet në Laprak. Operacioni kushtoi 2600 euro e kënaqur nuk ngela se për shkak të operacionit më është prerë nervi i kordës së zërit dhe kam dalë që aty me diagnozën paralizë të kordës së vërtetë të majtë.”- shprehet me gjysëm zëri pacientja 33-vjeçare.Të dhëna të siguruar nga Boldnews.al, tregojnë sesi Spitali Amerikan për këtë operacion ka kontraktuar staf mjekësor të palicencuar nga institucionet shqiptare. Mjeku turk Kadir Burak Koza është licencuar 2 vjet pasi ka kryer ndërhyrjen kirurgjikale të gabuar ndaj pacientes.

Në një dokument të Urdhërit të Mjekëve të Rajonit Tiranë, thuhet se mjeku turk është licencuar në janar të vitit 2012 me Nr. Licence 19. Skandali shkon edhe më tej, pasi pacientja nuk është njoftuar nga Spitali Amerikan për ndërhyrjen e gabuar, ndërsa e ka zbuluar rastësisht gjatë një vizite rutinë. “Faktin që isha paralizuar vokalisht e kam marrë vesh fare aksidentalisht nëpërmjet një kirurgu tjetër i cili duke më dëgjuar zërin më pyeti çfarë ndërhyrje kisha bërë dhe më tha ta ndiqja këtë gjë se ka shumë mundësi që të kisha pësuar paralizë. Pas kësaj nisa një seri kontrollesh edhe në disa spitale të tjera”– shprehet pacientja me inicialet E.R.

Pacientja është vizituar disa herë edhe tek Spitali Amerikan për problemin e zërit, por mjeku turk që kishte bërë ndërhyrje kirurigjikale, e pranoi gabimin vetëm 1 viti e gjysëm pas operacionit, më 20 maj të 2010.

“Kirurgu që më operoi më nxorri me këtë diagnozë dhe më tha që është paralizë e kordës së majtë i shkaktuar nga operacioni i tiroides”– shton më tej pacientja me inicialet E.R.

Por pikërisht këtu nisin tentativat e Spitalit Amerikan për të fshehur këtë gabim të rëndë për shëndetin e pacientes.

“Pasi mora vesh diagnozën, mendimi i parë ishte se çfarë mund të bëja për të rregulluar gjendjen time dhe kërkova dosjen për të shkuar jashtë. Nuk ma kanë dhënë dosjen, nuk u treguan human. I thashë që nuk kam dërguar dikë tjetër për të marrë dosjen time kam ardhur personalisht dhe dosja ka brenda të dhënat e mia. Ata nuk ma dhanë, por më pas dosjen e kam marrë nëpermjet avokatit.”– rrëfen pacientja E.R.

E gjendur përballë një situatë aspak normale, pacientja E.R i dërgon Urdhërit të Mjekut një ankes lidhur me etikën që ka përdorur Spitali Amerikan pas operacionit të kryer. Pacientja shprehet se nga dokumentat që i janë serviru nga ky spital privat pas operacionit, ajo nuk është vënë në dijeni për prerjen e kordës së zërit. Gjithashtu sipas ankesës, pacientja shton se mjeku turk e ka zvarritur me muaj të tërë deri sa ka pranuar gabimin pas 1 viti e gjysëm, ndërkohë shpreh pakënaqësi edhe për arrogancën që ka përdorur Spitali Amerikan për dhënin e dosjes mjekësore.

Vetë Urdhëri i Mjekut, pas një ankesës së bëra nga pacientja E.R ka renditur një sërë shkeljesh të Spitalit Amerikan për këtë çështje:

1-Ka shkelje të etikës së personelit mjekësor ndaj pacientes duke mos e sqaruar atë për komplikacionin e ndodhur.

2-Ka shkelje të standarteve mjekësore dhe shtetërore sepse kartela është shkruajtur në gjuhën Turke.

3-Nuk gjenden në kartelë ekzaminimi apo konsulta e endokrinologut, se në çfarë gjendje ka qënë e sëmura para operacionit dhe pse është kërkuar trajtimi kirurgjikal.

4-Në dokumentacionet mjekësore nuk ekziston konsenti për trajtimin kirurgjikal.

5-Në fletë-dalje e sëmura del pa komplikacione ndërkohë që ajo ka Hypofoni.

Pacientja E.R ka nisur edhe një proces gjyqësor ndaj Spitalit Amerikan dhe ku ka fituar dy shkallët e para, ndërsa tani është në Gjykatën e Lartë.

“U drejtova në gjykatë dhe kam hapur padi gjykim civil gjykim që u mbyll në favorin tim, Spitali Amerikan ka shkuar në apel, edhe aty u mbyll me favorin tim.” – shprehet ajo duke lënë të kuptohet se edhe në procesin gjyqësor ka patur ndërhyrje të forta nga Spitali Amerikan.

Këtë e argumenton edhe me ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Apelit, që është e formës së prerë.

“Tani jam në Gjykatën e Shkalles së Lartë dhe jemi në pritje. Vendimi i Gjykatës së Apelit është i formës së prerë por unë nuk e di se ku e kanë gjetur atë forcë që e kanë ndalur ekzekutimin. Ka më shumë se një vit që i kam kërkuar Gjykatës së Lartë për shpejtim të procesit por nuk e kanë marrë parasysh.“- thekson pacientja me inicialet E.R.