Ngjarjet e një dite më parë treguan se vendin nuk e pret periudhë e mirë, vlerëson Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci.

Ai thotë se zhvillimet në Kuvend ishin dëshmi se institucionet nuk janë të gatshme të përgjigjen dhe as politikanët të sillen në mënyrë demokratike.

“Situata e krijuar mbrëmë tregoi se pushteti dhe opozita janë të gatshme me metoda jodemokratike të mbajnë ose të fitojnë pushtet, varësisht për cilën anë bëhet fjalë. Është e papranueshme që një deputet të zhduket në kohën e votimit të mosbesimit të Qeverisë, veçanërisht kur dallimi është aq i ngushtë. Në të gjithë këtë situatë, Ministria e Punëve të Brendshme nuk ishte askund, nuk veproi, nuk e dimë kush ishte fajtor dhe as që u deklarua dikush”, tha Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci.

Pandemia, kriza ekonomike, kriza energjetike, çështja me Bullgarinë janë sfida për të cilat Troshanovski vlerëson se vendit i duhet stabilitet i brendshëm politik.

“Ideale do të ishte të kishte Qeveri ekspertësh e cila do të kishte mandat të kufizuar dhe kompetenca të kufizuara dhe të ishte e mbështetur nga të gjithë që të mund t’i rifillonte çështjet. Por, duke marrë parasysh se çfarë njerëzish e drejtojnë vendin dhe kulturën e tyre politike, kjo është pak e mundur. Opsioni i dytë është rikonstrumi i Qeverisë me plotësimin e një partie tjetër. Rikonstruim duhet të ketë patjetër dhe kjo është e pakta që duhet të ndodhë. Ka pasur periudhë të shpeshtë papërgjegjësie te funksionarët shtetëror për shkak të keqpërdorimeve serioze dhe vazhdimisht nuk ka asnjë përgjegjësi për gjithë këtë”, u shpreh Troshanovski.

Nëse asnjëra nga këto nuk realizohet, ai vlerëson se do të ketë zgjedhje të parakohshme.

I pyetur rreth mundësisë së negociatave në formatin e takimit të liderëve te Presidenti i vendit, Troshanovski thotë se nuk është mbështetës i kësaj ideje. Sipas tij, debatet duhet të ndodhin në Kuvend dhe të zhvillohen nga të zgjedhurit e popullit dhe jo, siç thotë ai, nga krerët e “fiseve”. / Alsat.mk