Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e kanë përshkruar takimin e parë në Uashington si fillimin e një epoke të re marrëdhëniesh. Vizita e zotit Erdogan në Uashington vjen dy javë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të armatosin kurdët e Sirisë për të ndihmuar në avancimin e tyre kundër bazës së Shtetit Islamik në Raqqa. Turqia e kundërshton ashpër planin, duke thënë se kurdët e Sirisë janë të lidhur me një organizatë terroriste kurde në Turqi. Materiali në vazhdim sjell më shumë hollësi mbi këtë çështje dhe tema të tjera të diskutuara mes të dy presidentëve.

Mbështetësit, si dhe kundërshtarët e zotit Erdogan ishin mbledhur pranë Shtëpisë së Bardhë gjatë takimit të tij me presidentin amerikan të martën. Në konferencën e përbashkët të shtypit, presidenti Trump u tregua i kujdesshëm rreth shqetësimit turk mbi terrorizmin:

“E mbështesim Turqinë në betejën e parë kundër terrorizmit dhe grupeve terroriste si ISIS dhe PKK për tu siguruar se këto grupe nuk gjejnë strehë të sigurtë,” – tha ai.

Presidenti nuk la të kuptohet nëse do të tërheqë mbështetjen për kurdët e Sirisë me nxitjen e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan:

“Kurrë nuk duhet t’i lejojmë këto grupe që të manipulojnë strukturën fetare dhe etnike të rajonit, duke përdorur si justifikim luftën kundër terrorizmit”, – u shpreh presidenti turk.

Zoti Erdogan nuk arriti t’i bindë Shtetet e Bashkuara për ekstradimin e klerikut Fetullah Gulen, të cilin ai e akuzon për nxitje të grushtit të shtetit të dështuar të një viti më parë kundër qeverisë së tij.

Analistët thonë se udhëheqësi autoritar turk nuk priste lëshime mbi këto çëshjte të rëndësishme, por ka të ngjarë që të arrijë marrëveshje të tjera të dobishme. Howard Eissenstat është studjues në Projektin për Demokracinë në Lindjen e Mesme:

“Ka të ngjarë që ai mori më tepër mbështetje për sigurinë e brendshme në Turqi kundër PKK-së dhe ndoshta pëlqimin për të goditur Sinjarin në veri të Irakut.”- thotë ai.

Eksperti foli me Zërin e Amerikës përmes Skype-it. Takimi, tha ai, ia shton zotit Erdogan prestigjin në Turqi. Shtetet e Bashkuara i kanë dënuar përpjekjet e dështuara për grusht shteti vitin e kaluar, por gjithashtu kanë kritikuar shtypjen qeveritare ndaj udhëheqësve, gazetarëve dhe kundështarëve të dyshuar për përfshirje në grushtin e shtetit.

“Është si puna e një martese të vështirë, ku ka shumë arsye që të mos prishet bashkimi, pasi kostoja e divorcit është shumë e lartë. Ajo që pres është që Shtetet e Bashkuara dhe Turqia të vazhdojnë të kenë rezerva ndaj njëri tjetrit edhe në të ardhmen”, – thotë eksperti.

Si vend anëtar i NATO-s, Turqia është pjesë e një aleance të fuqishme ushtarake me një rrjet botëror zbulimi nga i cili varet siguria e saj. Për Shtetet e Bashkuara, Turqia është një partner i fuqishëm rajonal që ofron qasje në baza ushtarake strategjike të rëndësishme.