Presidenti amerikan, Donald Trump, tha sot se Koreja Veriore, që aktualisht ka kryer një seri të testeve raketore, është “problem i madh” në agjendën e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.

“Është shumë në mendjet tona…është problem i madh, është problem botëror dhe do të zgjidhet. Në një pikë ai do të zgjidhet. Ju mund të vëni bast në këtë”, tha sot Trump në Sicili të Italisë, ku merr pjesë në samitin e Grupit të 7 vendeve të industrializuara.

Programet raketore të Koresë Veriore janë parë si sfidë madhore e sigurisë për administratën Trump.

Presidenti amerikan ka shprehur përkushtim për ta parandaluar këtë vend që të jetë i aftë t’i godasë Shtetet e Bashkuara me raketë atomike.

Ekspertët thonë se Pheniani do të mund ta arrinte prodhimin e raketave me kapacitet të tillë pas vitit 2020.