Sipas një artikulli të gazetës “The New York Times”, në deklarimin e taksave të vitit 1995, kandidati republikan Donald Trump ka raportuar një humbje prej 916 milionë dollarësh. Sipas artikullit, kjo i ka krijuar zotit Trump mundësinë e mospagimit të taksave federale për deri në 18 vjet radhazi.

Humbja e deklaruar prej gati një miliard dollarësh ka qenë e mjaftueshme për të shmangur rreth 50 milionë dollarë në vit pagesa të tatimit mbi të ardhurat për 18 vjet. Gazeta “The New York Times” u konsultua me ekspertë të taksave të cilët thonë se nuk ka diçka të paligjshme në dokumentacionin e taksave të zotit Trump, i cili ka shfrytëzuar një mekanizëm të sistemit të taksave që përdoret shumë nga familjet e pasura në SHBA për të ruajtur pasuritë e tyre.

Gjatë debatit të tyre televiziv, kandidatja demokrate Hillary Clinton tha se zoti Trump nuk i bën publike deklaratat e taksave pasi aty tregohet se ai nuk ka paguar taksa federale. Donald Trump iu përgjigj gjatë debatit se kjo tregon se ai është i zgjuar.

Gazeta thotë se dokumentat e taksave dëshmojnë për përfitimet e jashtëzakonshme që mori zoti Trump pas keqmenaxhimit financiar në fillimin e viteve ’90-të të tre kazinove në Atlantic City, të biznesit të linjave ajrore, si dhe blerjen e “Plaza Hotel” në Manhattan.

Gazeta tha se dokumentat e taksave iu dërguan një gazetari të saj me postë nga Nju Jorku dhe përmbajnë vetëm tre faqe.

Dokumentat iu treguan Jack Mitnick, i cili pati menaxhuar për gati 30 vjet taksat e zotit Trump. Zoti Mitnick i tha gazetës së dokumentat duken të jenë autentike.

Gazeta ka njoftuar se një avokat i zotit Trump ka kërcënuar se do të marrë masa ligjore ndaj publikimit të të dhënave, pasi zoti Trump nuk e ka autorizuar këtë veprim. Ndërsa vetë zoti Trump shkruajti sot në Twitter se ai e njeh më mirë se çdo kandidat i mëparshëm për president legjislacionin e taksave dhe se ai është i vetmi që mundet ta ndreqë.

Gazeta gjithashtu saktëson se këto dokumenta që ajo mori me postë përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të deklaratave voluminoze të taksave që zoti Trump ka bërë që nga viti 1995.